Pak ditë më parë, Ministria Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi se janë 5400 vende të lira pune të shpallura në portalin puna.gov.al. Por në ditën e fundit të nëntorit, SCAN realizoi një vëzhgim në websiten e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, ku për periudhën një mujore, janë publikuar 1448 rezultate punësimi.
Por për cilat profesione ka kërkesë të lartë?
Pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, janë listuar vendet vakante në sektorin privat, por edhe në atë publik, ku ajo që vihet re, është se numrin më të lartë të listimeve, e ka sektori privat. Sipas kërkimeve, duke ju referuar nivelit të edukimit, numrin më të ulët të kërkimeve e ka kategoria e punonjësve pa arsim, ku për një muaj kërkohen vetëm 7, ku kryesojnë pozicionet e punës si punëtor krahu në ndërtim, punonjëse në shtëpi, apo peshkatarë.
Ndërkohë, në kategoritë e nivelit të edukimit në arsim fillor, arsim 9-vjeçar, arsim i mesëm dhe profesional, rezultatet e kërkimit kanë arritur të gjenerojnë 1244 vende të lira pune pranë kësaj agjencie. Tregu i punës, në bazë të kërkimit, kryesisht ka kërkesa për rrobaqepës, punëtor krahu, kamarierë, kuzhinierë, sanitarë etj.
Por për një nivel edukimi më të lartë, kryesisht për Bachelor janë në kërkim rreth 101 punonjës për një muaj. Në këtë kategori, kërkesat janë për ixhinierë, ekonomistë e financier, infermierë, jurist etj.
Për nivelin e edukimit master profesional dhe shkencor, në një muaj kërkohen rreth 95 punonjës dhe kryesisht kërkesat e punës janë për inxhinierë, ekonomistë, staf mjekësor etj./Scan