Fjala e plotë e Edi Ramës për ligjin në Parlament

Ky projekt, nuk është një projekt i radhës. Është një projekt me rëndësi strategjike që ndan qartë dy epoka; Epokën e një barbarie të stërzgjatur me pasojë tragjedira të njëpasnjëshme të kthyera në rutinë, me shfrytëzimin krejtësisht kriminal të pasurisë kombëtare në zonën e Bulqizës në radhë të parë, por në tërësi në zonat e pasura minerale dhe Epokën që nis me miratimin e këtij projekti, i cili ka në themelin e vet në radhë të parë detyrimin për siguri, pastaj domosdoshmërinë për inovacion, dhe si rezultat edhe garancinë për progres.

Unë dua të falënderoj përpara Kuvendit në radhë të parë ministrin e Energjisë dhe të Industrisë, të gjithë ekipin e tij, për vendosmërinë më të cilën kanë çuar përpara një proces jashtëzakonisht të vështirë duke futur duart në një zgavër gjarpërinjsh. E rezultat revokimi i lejeve minerare për 160 subjekte që nuk përmbushnin detyrimet kontraktuale ndaj shtetit si një provë e vendosmërisë, por edhe e vështirësisë së këtij procesi.

Por duhet të falënderoj edhe të gjithë përfaqësuesit e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në këtë Kuvend që vijnë si përfaqësues të popullit të këtyre zonave dhe posaçërisht të zonave të veriut, për mbështetjen dhe kontributet që kanë sjellë për ta përcaktuar qartë dhe në mënyrë të konsoliduar kornizën e këtij projekti.

Më lejoni, gjithashtu, të shtoj pa asnjë ndjenjë euforie, por për të argumentuar me disa fakte që janë vetëm fillimi, sigurisht, besimin që jemi në një moment ndarjeje nga e kaluara dhe vendosjeje në dispozicion të popullit shqiptar të kësaj pasurie. Disa fakte;

Së pari vendosjen e një sërë koncesionarësh në pozitën detyruese, të cilën shteti e kishte lëshuar duke i hapur udhë gjithfarësoj abuzimesh dhe duke lejuar që të krijohej një hendek gjithmonë e më i madh mes përfitimeve të ditës dhe kushteve të sigurisë bashkë me të ardhurat e vetë publikut nga shfrytëzimi i kësaj pasurie kombëtare. Vendosja e koncesionarit kryesor në Bulqizë në pozitën detyruese të zbatimit të marrëveshjes së koncesionit për të nxitur realizimin e investimeve të fazës së dytë të parashikuar në marrëveshje, falë këmbënguljes dhe vendosmërisë së ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, ka sjellë praktikisht hapjen e një procesi që do të aktivizojë 1,5 milionë ton rezerva kromi dhe çka është mjaft kuptimplotë do të zgjasë jetën e minierës për 20 vjet, me një investim që në përfundimin e objektit shkon në 13,5 milionë dollarë.

Fillimi i punës për travernbanket është një shenjë tjetër shumë e rëndësishme për të forcuar besimin se industria po rikthehet në binarët që sigurojnë progres, me një investim që praktikisht ka sjellë aktualisht ringritjen e njërit prej travernbankeve në gjatësi 8.5km.

Shifrat e realizuara nga fabrika e pasurimit të kromit janë kuptimplota dhe këto, duke e çuar përmes tejkalimit të investimeve kapacitetin përpunues në 240 mijë ton përpunim mineral.

Nga ana tjetër, vendosja në punë e impiantit të seleksionimit të kromit në Klos, që kishte 20 vjet që nuk punonte dhe kapërcimi i të gjithë problemeve të mbartura, por gjithmonë duke pasur në themel të marrëdhënieve me sektorin, vendosjen në pozita detyruese kontraktuale të aktorëve atje në fushë, ka sjellë edhe vënien në punë të prodhimit të ferro-kromit të uzinës së Burrelit me një kapacitet 10 mijë tonë në vit. Sigurisht nuk është fund, është fillimi.

Këto janë shifra, të cilat janë të mjaftueshme në këtë fazë, për të parë kthesën. Për të parë një kthesë që ky projekt e bën më të shpejtë, e bën më të qartë dhe e përcakton rrugën pas kthesës në mënyrë absolutisht të kthjellët, qoftë për shtetin, qoftë për të gjithë aktorët e sektorit privat që duan të investojnë në këtë fushë. Edhe shfaqja e interesit nga një kompani kineze, e përmasave botërore, për të hyrë në sektorin e bakrit dhe fillimi i investimeve të kësaj kompanie, në këtë sektor, është një tjetër shenjë shumë inkurajuese për të kaluar nga shfrytëzimi barbar dhe shumë i fragmentuar, “o burra, kush të kapi dhe të marri”, që nga ata më monstruozët deri tek fëmijët e vegjël nëpër kodrat e mineraleve, në një fazë shfrytëzimi të qëndrueshëm të gjithë kësaj pasurie.

Ajo që ka një rëndësi themelore në projekt është sepse imponohet rehabilitimi progresiv i mjedisit të zonave të shfrytëzuara, për të mos lënë më pas territore të cilat duket sikur janë bombarduar me armë bërthamore apo janë braktisur nga shpërthime shkatërruese vullkanike, njëherë e përgjithmonë. E, nga ana tjetër, për të krijuar kushtet që të sigurohet vazhdimi i prodhimit në mënyrë periodike.

Detyrimi i subjekteve për të rehabilituar mjedisin në mënyrë periodike vjetore, sipas një projekti të detajuar, duhet tani të jetë pjesë e punës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit. S’ka dyshim se një element shumë i rëndësishëm për të garantuar vazhdimin në rrugën e duhur të punës me sektorin është ajo që ligji sjell si risi, duke e vendosur theksin tek rritja e kapaciteteve teknike dhe duke e kthyer në kusht rritjen e kapaciteteve teknike, si një detyrim për çdo zotërues leje minerare dhe duke i imponuar çdo zotëruesi të lejeve minerare disponimin e një personeli të kualifikuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes minerare, dhe jo vetëm në procedurën konkurruese, siç ka ndodhur rëndom.

Më lejoni t’ju them që, pavarësisht se s’është pjesë e projektit të këtij dokumenti, por është pjesë e programit të gjithë ristrukturimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe sektorit privat në këtë fushë, se hapja e Shkollës së parë Profesionale për të siguruar kapacitetet e nevojshme teknike dhe për të kualifikuar krahun e punës, duke hapur një kapitull të ri të kalimit nga skllavëria dhe skllavërimi në krijimin e kushteve për krah pune të kualifikuar është vetëm fillimi i një procesi që do të vazhdojë, duke vendosur zotëruesit e lejeve minerare në pozitën detyruese që të financojnë arsimin profesional për të rejat dhe të rinjtë në të gjithë ato zona. Pa përjashtuar as femrat, jo vetëm meshkujt, jo për t’i futur në galeri si minatorë, por për t’u dhënë dijet e nevojshme që të jenë pjesë e ekipeve teknike të nivelit të dytë, në shërbim të sektorit.

Kjo, e kombinuar me vëmendjen rikthyer të Qeverisë ndaj atyre zonave të torturuara në mënyrë barbare për gjithë këto vite, duke vendosur investime publike dhe duke synuar që edhe në Bulqizë, por edhe në zonat përreth, edhe në Klos, të shkojë era e Rilindjes Urbane të zonave të banuara, ku familjet, ku më të moshuarit, ku fëmijët nuk kanë vetëm të drejtën të marrin frymë dhe të pinë ujë, por kanë edhe të drejtën të shijojnë një mjedis urban të kualifikuar, bën që së paku në këtë fillim të ndjehemi mirë, sepse kemi vendosur piketat e rrugës së duhur. S’ka dyshim se procesi i gjithë rimëkëmbjes të marrëdhënieve mes shtetit dhe sektorit do të kërkojë kohë, por çka voton sot Parlamenti është një garanci për të mbyllur një kapitull jashtëzakonisht dramatik, me shumë sekuenca tragjike brenda tij dhe për të hapur një kapitull të ri, të vështirë, por pa as më të voglin dyshim, të domosdoshëm dhe të dobishëm.