Kjo është fotoja që vjen nga seanca që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici. Ai do të njihet këtë të hënë me masën e sigurisë.
Në sallë është edhe Alma Kaçi, gruaja e cila filmoi videon intime me Gjicin. Aktualisht ajo ndodhet në arrest shtëpie, por sot gjykata pritet të vendosë nëse do ta lërë në fuqi masën e sigurisë apo do të vendosë një tjetër.
“Safet Gjici ndodhet brenda kafazit të xhamtë ndërsa Alma Kaçit meqenëse i është caktuar masa e sigurisë në mungesë nga Gjykata e Posaçme ndodhet e ulur në bankën e të dyshuarve e shoqëruar edhe nga avokatja e saj”, raportoi gazetarja Glidona Daci.
Kujtojmë se kur 40-vjeçarja Kaçi mbërriti në gjykatë zgjodhi që të mbulojë fytyrën e saj
Hetimet për Gjicin nisën disa ditë më parë, pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.
Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një vartësin e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë shtetasja Alma Kaçi.
Prokuroria kreu një sërë verifikimesh për rastin, duke ngritur në përfundim akuzat e korrupsionit për të dy të hetuarit. Akuza ndaj ish-kryebashkiakut parashikon një dënim nga 4 në 12 vjet. Ndërsa ajo ndaj Alma Kaçit nga 1 në 5 vjet burgim