Me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula tha sot se kryeministri Edi Rama ka frikë. Sipas tij ai çdo ditë mbush cepat e rrugëve nga Surreli në Tiranë me 70-100 punonjës të gardës që kujdesen për sigurinë e tij.
Deputet tregoi gjithashtu bisedën me punonjësin e gardës sot në mëngjes në Kuvend, i cili i tregonte se si po kontrollonte për mina përpara se deputetët të mbërrinin.
Madje, Sula shkoi deri aty sa tha që më mirë ai Kuvend të shembet dhe t’i zërë brenda.
“Kur dal nga Sauku çdo mëngjes që vij në Tiranë, për ditë, unë kam respekt për Gardën, në kohën e kryeministrit tonë nga një, tani nga dy në çdo cep, nga Surreli këtu bëhen nga 100 veta, përse keni frikë?
Unë nuk kam frikë, as kolegët tuaj. Kur erdha këtu, respekt për atë punonjësin e gardës e gjeta me qenin anti-minë. I thashë, çfarë po bën? Po shikoj, tha mos u vihet minë deputetëve të parlamentit.
Me humor, dëgjo i thash; gjeç belanë. Lërë më mirë, se edhe ne të pafajshmit, se këtu ka shkuar politika më mirë të përmbyset njëherë që të shpëtojë ky vend ose të bjerë ai 42-katshi, se deri këtu vjen ai dhe ne të pafajshmit të ikim me të fajshmit që jeni këtu mbrapa jo të gjithë”, tha ai.