Eda dhe Alba janë në një marrëdhënie romantike prej 12 vitesh. Historia e tyre u tregua sonte në “Goca dhe Gra” teksa vajzat rrëfyen sesi janë njohur dhe sesi e pritën të tjerët lidhjen e tyre.
Dashuria e tyre është pagëzuar me dy binjake, por jo çdo gjë ka qenë e lehtë për lidhjen e tyre, që shoqëria e ka të vështirë ta pranojë.
Ato treguan se u njohën 12 vite më parë në një festë të komunitetit LGBT, dhe ishte dashuri me shikim të parë, transmeton TCH.
“Jemi njohur në një festë në 2010. Alba më shikonte mua, dhe i kam parë çdo gjë. I them shokut tonë të përbashkët që do doja shumë ta njihja atë vajzë. Ishte festë e komunitetit LGBT. Ishte dashuri me shikim të parë dhe mendova se do jetë personi im i jetës”- tregoi Eda.
“Unë nuk e dija çfarë ishte. Isha 8 vjeçe kur kam rënë në dashuri me infermieren se isha sëmurë. Kur pashë Edën kisha tre ditë që isha ndare nga ishja ime. Mendoja se isha e dashuruar me atë dhe kur pash Edën, kuptova që nuk kishte qenë dashuri. Në festën e parë isha goxha e re dhe kishte shumë që më gjuanin. Vetëm jemi takuar pastaj dhe kemi folur. Shoqëria ime e ka pritur mirë”- tha Alba.
Alba tha se ato prezantoheshin si shoqe të ngushta, derisa dolën hapur, tashmë edhe në media.
“Dola hapur para familjes se isha lodhur me gënjeshtrat. I thoja familjes jam me shoqen, por kjo e ka një kufi prandaj dola hapur”- tregoi ajo.
Dy zonjat treguan momentin dhe hapat që ndoqën për të sjellë në jetë fëmijë.
Gjithë procedurën, ato e kanë bërë në Shqipëri, ku siç thonë, janë përballur me sfida dhe diskriminimin e mjekëve në klinikat private në vendin tonë.
“Kishim 10 vite marrëdhënie, 7 vite bashkëjetesë. Kemi kaluar çdo gjë së bashku. Fëmijët i kemi dashur që në fillim, por nuk ishin pjekur kushtet ekonomike, familjare.
Ishte e thjeshtë për ne të vendosnim kush do ta mbante fëmijë. Kemi dashur të kemi fëmijë të dyja, por për mua nuk është problem. Unë kam probleme fizike, kështu që vendosëm që fëmijët do i mbante Eda.
Çdo gjë u bë në Shqipëri. Në një klinikë u diskriminuam, u prezantuam sikur Eda ishte nënë e vetme dhe doktori më pyeti kush je ti, i thash jam shoqja e ngushtë. Tha nuk mund ta bëj sepse nuk ma lejon ligji. Në këtë mënyrë i hap rrugë familjeve LGBT dhe nuk mund ta bëj këtë, më tha doktori”.
Te klinika e tretë që kemi shkuar, çdo gjë shkoi mbarë. Ka qenë procedurë in vitro, shpjegon Alba.
Por, tashmë Alba dhe Eda kanë një beteje ligjore, ligji shqiptar nuk njeh bashkë mëmësinë. Megjithatë, ato na frymëzojnë kur thonë se janë të vendosura t’i shkojnë deri në fund dhe të zgjidhin hapat ligjorë në vendin tonë.
“Jemi në betejë ligjore me gjendjen civile, që të kemi emrin e bashkëmëmësisë,. Në çerdhe është bërë një regjistrim i përkohshëm i vajzave, që të marrim shërbimet bazë, por emri i tyre nuk figuron në e-Albania. Ne jemi në kontakt me avokatë dhe noterë”.