”Ndërsa fati i familjes Jakova po shkonte drejt pikës më tragjike të saj, vdekjes në rrethana të errëta të Tukut (26 gusht 1959), Luan Greva dashurohej në Tiranë me Hatixhe Gjebrenë dhe fejesën zyrtare e bënë në 27 dhjetor 1959″. Kështu i lidh dy histori dashurie në librin e tij “Dashuri në kohën e socializmit”, studiuesi Ylli Polovina. Janë të shumta historitë e dashurisë, që kanë kaluar kalvare të shumta gjatë viteve të diktaturës, janë thyer me përdhunë nga politika e kohës, lufta e klasave, prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e të tjerë faktorë.

Por Polovina, si një beratas i mirë, ka qëmtuar histori që kanë lindur në qytetin e tij të lindjes, në Beratin e “një mbi një dritareve”. Një ndër to është edhe ajo mes festivalistes së rinisë në Moskë dhe mësueses së talentuar të gjuhës ruse, Hatixhe Gjebrea, kushërirë e partizanes së pushkatuar, Ramize Gjebresë, me kushëririn e Nexhmije Hoxhës, kirurgun dibran Luan Greva.

FESTIVALI I RINISË NË MOSKË

Në muajin korrik 1957, në Moskë do të mbahej për pesëmbëdhjetë ditë Festivali Ndërkombëtar i Rinisë. Do të merrnin pjesë në të grupe prej të gjitha vendeve socialiste. Në përzgjedhje të përfaqësisë shqiptare në Tiranë konkurruan grupe korale, veçanërisht oktete. Ndërsa Luan Greva drejtonte oktetin e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixheja qe pjesëtare e atij të Filologjisë. Mes universitarëve ngadhënjeu ky i fundit, duke fituar të drejtën për të shkuar në Moskë në emër të rinisë shqiptare. Në grupin konkurrues për në Festival do të kishte edhe valltarë, si edhe një skuadër futbolli, ajo e ekipit “Partizani”.

Oktetin (tetëshen korale) të Fakultetit të Filologjisë në Tiranë e përforcuan me Anita Taken dhe Vaçe Zelën. Drejt festivalit moskovit përfaqësia shqiptare u nis me vapor nga Durrësi. Brenda një jave mbërriti në portin e Odesës dhe prej andej me tren shkoi në kryeqytetin sovjetik. Në Moskë grupi shqiptar pati sukses të plotë, sidomos vallet e Tropojës. Rusët e pëlqenin shumë atë lloj arti dhe i mbajtën shqiptarët në pëllëmbë të dorës. Kudo, sa i shihnin, thoshin me zë të lartë dhe me gëzim “Albania”. Kudo u hapnin rrugën. Një ditë, grupi i të rinjve festivalistë shkoi në një park, ku edhe do të mbahej shfaqja e asaj dite. Mes shikuesve, vajzave shqiptare u ra shumë në sy për hijeshi mashkullore një djalë brun. E menduan azerbajxhanas, por ky papritmas thirri me emër Hatixhenë.

Fillimisht, kjo u hutua, veç shpejt ai i kujtoi se patën qenë bashkë në klasën e katërt fillore. Qe i nipi i ushtarakut të lartë Sadik Bekteshit. Quhej Sandër Sokoli. Ishte në Moskë për studime. (Kur u kthye në atdhe, ai bëri karrierë deri si drejtor i Uzinës Ushtarake të Poliçanit, por pas goditjes së ushtarakëve të lartë dhe pa dalë asnjë akuzë e qartë, u arrestua dhe u pushkatua).

Gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të Festivalit të Rinisë në Moskë, në krah të Hrushovit në tribunën e parakalimit të pjesëmarrësve ishte edhe Enver Hoxha. Pas kthimit në Tiranë, Hatixheja, e cila prej Bashkimit Sovjetik pati sjellë edhe ndonjë veshje të lehtë (mban mend sidomos një palë çorape të holla), një ditë, ndërsa ecte, ndjeu ta ndiqte dikush nga pas. Ky pas pak i doli në krahë. Ishte me moshë fare të re. I tha: “Jam një dashamirësi yt”. “Urdhëro!”, reagoi me mirësjellje ajo. “Mbrëmë ke qenë me dy shoqe të tuat karshi Hotel Dajtit?” “Po”

“Unë kam qenë mbi ju, hipur në një pemë”, vazhdoi i porsaardhuri. “Keni folur me njëra-tjetrën”, shtoi menjëherë. “Sigurisht”, u përgjigj plot ankth Hatixhja. “Nuk keni thënë gjë të ndaluar”, buzëqeshi punonjësi i Sigurimit të Shtetit. “Faleminderit!”, belbëzoi e tronditur ajo. Sidoqoftë, nuk harroi t’i fiksonte fytyrën, madje arriti t’i marrë edhe emrin. Quhej Fadil.

Ky përgjues do të dukej sërish disa herë të tjera, duke qëndruar në cep të pallatit ku jetonin Gjebretë, në të gjitha rastet kur te ta do të vinte një teze e tyre, e cila ishte e internuar në Selenicë të Vlorës. I shoqi, luftëtar republikan në Spanjë, pas Konferencës së Tiranës, për shkak se kritikoi favoret e Bllokut, qe futur në burg. Hatixhja e ritakoi këtë njeri të Sigurimit të Shtetit pas vitit nëntëdhjetë, pas rënies së diktaturës, ndërkohë që bëhej ceremonia e rivarrimit të eshtrave të një të burgosuri politik.

U gjend përballë tij jo vetëm në funeral, por edhe gjatë drekës përkujtimore në Shtëpinë e Oficerëve. “Ku të kam parë?”, i tha ky. “Ndoshta kur kam qenë studente”, iu përgjigj Hatixhja. “Po ku?”, nguli këmbë tjetri, i cili vërtet nuk po e pikaste dot. “Ti mos je Fadili?”, mëshoi fjalët pyetëse ajo. “Jo,- shkundi kokën fort, si me turfullim, ish-sigurimsi,- nuk e kam emrin Fadil”.

Në drekë, mes fjalimbajtësve, u tha se ai qe një lloj zëvendësi i kryetarit të Shoqatës së të Persekutuarve nga regjimi komunist. Kur pjesëmarrësit u shpërndanë, iu afrua enkas Hatixhesë dhe i belbëzoi nën zë: “Faleminderit shumë për heshtjen!”. Vallëzim në hotel “Kolombo” Para se të vinte në Berat, tashmë pranë bashkëshortit të saj, Hatixhe Gjebrea kishte parë në atdheun e saj vetëm vendlindjen, Tiranën, Kavajën si edhe Krujën, ku, pas përfundimit të studimeve universitare, e emëruan për një vit si mësuese të gjuhës ruse.

Luan Greva kishte dy mote që punonte në qytetin e “një mbi një dritareve”, kur ajo u transferua për punë këtu. Ndërsa pa për herë të parë nga larg kështjellën, pastaj lumin Osum që rrëshqiste poshtë një ure, e cila thirrej e Vajgurores, kur në të majtë vështroi qytetin naftëtar me emrin e Stalinit si edhe buzë tij një aerodrom luftarak, Hatixhja u emocionua. Kur hyri në Berat, iu duk se gjithçka vezullonte.

Tërë peizazhin, banesat si edhe sipërfaqen e lumit, dielli e vishte si me një ylber. Ndoshta, gjithçka e tillë, tepër mahnitëse, Hatixhesë iu bë vetëm prej një sajese të fantazisë së saj apo ngaqë po i gëzohej strehës së parë të familjes së saj të re, por gjithsesi ditët e muajt pasues nuk ia zhbukuruan dot qytetin. Në Berat, Luani jetonte në një dhomë të një shtëpie private, i zoti i së cilës qe një vendës me emër të gëzueshëm dhe popullor: Taq Gjogu. Në të ishte një krevat i ngushtë (tek) si edhe një dollap i vogël muri, që të dyja nga ato të fjetinave të ushtarëve. Bashkë me një sobë metalike, disa batanije dhe dy palë çarçafë, ato qenë në inventar të regjimentit të artilerisë.

Shtrati ishte aq i pamjaftueshëm për dy njerëz sa, kur secili prej tyre dëshironte të kthehej në krahun tjetër për t’u rehatuar më mirë që ta zinte gjumi, lajmëronin më parë shoqishoqin me një “Mbahu!”, sepse një lëvizje e gabuar dhe krevati përmbysej. Gjithsesi, në atë dhomë të mobiluar ushtarakisht ftonin miq të shumtë dhe në dimër i qerasnin me gështenja që i piqnin mbi sobë. Hatixhja e bukur teshat e saj ia delte t’i mbante në dollapin e ngushtë metalik pa iu krijuar qoftë edhe një rrudhë dhe bashkë me Luanin, elegantë që të dy, shkonin të kërcenin në restorantin e hotel “Kolombos”, i cili ndodhej në shëtitoren kryesore të qytetit.

Madje, ata u bënë shkaktarë që ky, vallëzimi publik i çifteve në atë mjedis, të bëhej rregull edhe për vetë beratasit. Sepse më parë në sallë edhe pse binte një orkestër, askush nuk ngrihej të kërcente, prandaj edhe një ditë Luani e thirri kamerierin dhe i tha: “Na hap pak vend të vallëzojmë!”. Ky u përgjigj: “Nuk e di, të pyes”. Pas pak u kthye dhe shtyu tavolinat mënjanë. Hatixhja dhe Luani kaq deshën dhe menjëherë brofën, i hodhën duart njeri-tjetrit mbi sup dhe në bel.

PASARDHËSE E DËSHMORIT TË KOMBIT

Për festivalisten e Moskës, Berati nuk ishte i dashur vetëm sepse atje kishte të dashurin dhe tashmë burrin e vet, por lidhja shpirtërore qe akoma shumë më e thellë. Ai ishte qyteti i gjyshit, Abdyl Bakiut, dhe i të vëllezërve të tij, pra, i xhaxhallarëve të saj, me pak fjalë i tërë familjes Gjebrea. Në fillim të shekullit, këta patën lënë vendlindjen, Gjirokastrën dhe qenë vendosur këtu. Në Berat, gjyshi kishte eshtrat, bashkë me tre të tjerë, jo në një varrezë të zakonshme, por poshtë një lapidari të shumadhuruar prej vendësve: atë të Katër Dëshmorëve të Kombit.

Siç më pas do ta përshkruante historinë e asaj jete i vëllai i Hatixhes, Shpëtimi, i cili është një mjek me pasion të dukshëm edhe për historinë, referuar gazetës “Demokracia” të ditës së shtunë, 6 prill 1935, Abdyl Baki Gjebrea: “Në vitin 1912, së bashku me shokë të tjerë, ngre flamurin Kombëtar në qytetin e Beratit dhe prej andej Ismail Qemali e përfshiu në qeverinë e tij, duke e caktuar Drejtor të Financave dhe më vonë si nënprefekt në Skrapar, ku qëndroi nga viti 1913 deri në vitin 1914, datë në të cilën rebelët e Musa Qazimit zaptojnë Beratin, duke djegur shtëpinë e Baki Gjebresë dhe më vonë duke e dënuar me vdekje”.

Ky, shkruan Shpëtimi, bëri çmos për ta shtënë në dorë, deri sa arriti ta arrestojë atë në Poliçan të Skraparit. Së bashku me të u arrestuan edhe patriotët e tjerë, Dëshmorët e Kombit: Ismail Klosi, Hajredin Fratari dhe Muharem Lleshi. Prefekti Eqerem Kozara mori përsipër gjykimin e këtyre patriotëve, të cilët brenda pak ditëve i gjykoi dhe i dënoi me vdekje. Ja çfarë thuhej në vendim: “I famshmi ngatërrestar Abdyl Bakiu (Baki Gjebrea) nga Gjirokastra, ish-sekretar batalioni dhe më vonë sekretar regjimenti i ushtrisë otomane, i rritur dhe i ushqyer me bukën dhe dhuratat e shtetit dhe popullit otoman, ka tradhtuar ushtrinë në kohën e Luftës Ballkanike, duke ushqyer dhe shërbyer mendimit të Ismail Qemal bej Vlorës, duke u përpjekur pa reshtur për sigurimin e independencës së qeverisë së Vidit… Vendi, koha e ekzekutimit, 25 prill 1915”.

Para se ta vrisnin me mitraloz, Bakiu deklaroi: “Protestoj para juve dhe para historisë për akuzën që më bëni, duke më cilësuar si tradhtar të atdheut. Përkundrazi, ne jemi patriotë, jemi përpjekur dhe kemi punuar vetëm për lirinë e Shqipërisë. Tradhtarë dhe të poshtër jeni ju, që të verbuar nga padituria, po bëheni vegla të të huajve për shkatërrimin e Shqipërisë. Por duhet ta dini se në këtë vend s’ka për të shkelur më këmba e osmanliut, siç kujtoni ju, o të çmendur, por sigurisht do të valojë këtej e tutje dhe përgjithnjë vetëm Flamuri i kuq i Shqipërisë. Rroftë Shqipëria!”

KUSHËRI I PARË ME NEXHMIJE HOXHËN

Baki Gjebrea la pas tre djem: Kastriotin, Qazimin (të atin e Hatixhes) dhe Myrtezanë, që emigroi në Amerikë dhe vdiq atje beqar. Kur ndodhi pushkatimi me mitralim, Qazimi ishte 14 vjeç. Pasi kishte përfunduar shkollën qytetëse të Beratit dhe kishte marrë një bursë nga qeveria austriake, ai pati shkuar për studime në qytetin Grac të Austrisë, në një gjimnaz. Ishte bashkë me Eqrem Çabejin dhe Spiro Moisiun.

Banonin në një jetimore dhe duke qenë se pas vrasjes së të atit, nëna, Hatifeti, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait, pra, të vëllait të madh të babait, Rustemit, Qazimi përfundoi në Grac vetëm tri klasë dhe u kthye në Berat për t’u kujdesur për të ëmën. Ramize Gjebrea (emri kësaj partizaneje të shquar tashmë njihet prej çdo shqiptari për vrasjen e saj mizore, vetëm sepse e fejuar me Nako Spiron i shpifën se kishte rënë në dashuri me shokun e armëve, Zaho Kokën), qe bija e Rustemit.

Këtë vajzë xhaxhai Qazimi e kishte si motër. Kur Hatixheja vazhdoi në Tiranë shkollën pedagogjike, pyetja e parë e mësueseve të saj qe “çfarë e ke pasur Ramizenë?” Pas kësaj, në çdo bisedë flitej vetëm për bukurinë dhe zgjuarsinë e saj. Nako Spiro, pas lufte, deri sa vdiq me vetëvrasje të detyruar, i martuar tashmë me Liri Belishovën, çdo të diel e ftonte për drekë nënën e Ramizesë, Tafijen.

Belishova, para se të ndërronte jetë, çdo 6 mars, përvjetor i trishtuar i kësaj vrasjeje mizore, e telefononte Hatixhenë. Një herë i qe shprehur se tek ajo kishte parë shumë karakteristika të Ramizesë. Duke qenë se Luan Greva është kushëri i parë me bashkëshorten e Enver Hoxhës, Nexhmijen (i ati i të cilit qe vrarë gjatë luftës nga serbë, ndërsa bashkë me të tjerë mbronte qytetin e Dibrës) edhe kjo, kur ky shpalli lidhjen e dashurisë me vajzën nga familja Gjebrea, pati pyetur se çfarë e kishte e fejuara e tij Ramizenë.

Qazimi, pasi në vitin 1934 qe rikthyer në Gjirokastër, gjatë luftës, ndërsa mes komunistëve dhe ballistëve ende nuk kishte shpërthyer armiqësia, ishte me këta të fundit. Kur mes tyre nisi ndeshja e armatosur, ai u largua nga të dyja palët, duke mbetur i mënjanë. Kur Gjirokastra u pushtua prej gjermanëve dhe njohësit e gjuhës së tyre i thirrën për të shërbyer si përkthyes, u hap fjala se kjo ndodhi edhe me Qazim Gjebrenë. Por ky shërbim i tij nuk u krye kurrë, ishte thjesht një fjalënajë. Veç në shtabin partizan vrapoi opinioni tjetër: që ai kishte bashkëpunuar me pushtuesit.

U vu menjëherë në listën për t’u pushkatuar dhe ky kob fare lehtë do të ndodhte sikur të mos qe një drejtues i lartë i nacionalçlirimtarëve lokalë, i cili ndërhyri fort dhe sqaroi gjithçka. Pas lufte, rigoroz siç ishte, saktësisht “gjerman” në kulturë e në të sjellë, kur hartoi biografinë e tij, Qazim Gjebrea shkroi se pati qenë me Ballin Kombëtar.

Kjo i kushtoi shumë. Nga sekretar komune ca kohë, pastaj drejtor i fabrikës së këpucëve, e ulën në magazinier dhe më pas, gjithë kohën e moshës për punë, e kaloi ashtu. Ishte në një punë të tillë tek Uzina Mekanike në Tiranë, kur një ditë aty erdhi për vizitë Enver Hoxha. Qazimi u përpoq të fshihej mes të grumbulluarve për pritjen festive, por atij ia kapi syri.

Drejtor qe Hajredin Çeliku dhe Hoxha e pyeti këtë nëse qe e vërtetë që aty punonte edhe Qazim Gjebrea. Sa ia pohuan, e thirri menjëherë dhe e pyeti nëse kishte ndonjë hall. “Jo, nuk kam, faleminderit! Fëmijët i kam në shkollë”, qe përgjigjur. Që prej këtij çasti, edhe pse tashmë në prag të pensionit, ndryshoi dukshëm qëndrimi politik dyshues ndaj tij.

Kur Enver Hoxhës i ndërroi jetë nëna, Gjyloja, Qazimi me dy bashkëmoshatarë pleq nga Gjirokastra shkoi për ta ngushëlluar. Për shkak se deri ato çaste kishte pritur njerëz dhe Hoxha për pak kohë shkuar të çlodhej, kur ata tre ngushëlluan ai nuk qe aty.

Pas kësaj ata shkuan në kafen sipër Pallatit të Kulturës dhe ende nuk e dinin që ndërkohë punonjës të Sigurimit të Shtetit kishin trokitur me ngut në të tri shtëpitë dhe patën pyetur se ku ndodheshin. Enver Hoxha i kishte ftuar ta vizitonin sërish dhe kur të tre të nesërmen rihynë në shtëpinë e tij, ai iu kërkoi falje që një ditë më parë nuk kishte ndodhur të ishte aty për t’i pritur personalisht.

Ky gjest ia kishte ngrohur zemrën Qazim Gjebresë, por nuk i fashiti kurrë një brengë tjetër. Kjo i kishte filluar në vitin 1958, kur Enver Hoxha vlerësoi për herë të parë pozitivisht lëvizjen haxhiqamiliste, çfarë donte të thoshte se zvogëlonte shumë rolin e martirëve që kishin dhënë jetën kundër këtij rebelimi filootoman. Gjithsesi, sa herë që mundte gjente rastin të shkonte në Berat dhe te lapidari i “Katër Dëshmorëve të Kombit” të vinte një tufë me lule.

Tashmë, ai vend i shenjtë, krijim i përkryer artistik i skulptorit Dhimitër Çani, nuk kishte vëmendjen e mëparshme, atë të viteve tridhjetë kur u ndërtua, sepse pranë, në të djathtë, qe lartuar një bust i madh i Stalinit dhe në të majtë një lapidar fare mediokër, tepër voluminoz, kushtuar vendkrijimit të batalionit partizan të rinisë me emrin “Margarita Tutulani”. Qazimi do të ndërronte jetë në vitin 1970 dhe nuk do të vuante një brengë të re. Në Gjirokastër, ndërsa me emrin e të atit, “Dëshmorit të Kombit” Baki Gjebrea, ishte një rrugë, gjatë periudhës kur në Presidencë qe Sali Berisha, ai emër u hoq./ Ylli Polovina