Presidenti amerikan Joe Biden autorizoi sot Ukrainën që të përdorë raketat me rreze të gjatë “Made in US” për të qëlluar objektivat ushtarake brenda territorit të Rusisë.

Deri më sot, Ukraina e ka sulmuar Rusinë brenda territorit të saj me dronë, pjesa më e madhe e të cilëve të prodhuar brenda vendit.

Vendimi i Biden është parë si i vonuar, dhe është përgëzuar nga shumë analistë të luftës, të cilët shprehen se Ukraina ka të drejtë të targetojë dhe godasë ato baza ushtarake ruse prej nga Rusia lëshon përditë sulme vdekjeprurrëse ndaj tyre.

Por në mediat sociale është përhapur edhe frika për përshkallëzim të luftës., duke sjellë ndër mend edhe një deklaratë që presidenti rus Vladimir Putin kishte bërë për këtë çështje.

I pyetur pak muaj më parë nëse Ukraina do të merrte “OK” të përdorte raketat me precizion të lartë për të goditur Rusinë, Putin kishte deklaruar se këto raketa mund të përdoren vetëm me ndihmën e Perëndimit.

“Problemi është se këto raketa të avancuara edhe nëse i përdorin, nuk mund t’i përdorin pa ndihmën e Perëndimit, duhen ekspertë perëndimorë, duhen të dhëna nga satelitët e NATO-s të cilat Ukraina nuk i ka. Këto të dhëna vijnë vetëm nga satelitët e BE-së apo SHBA”, kishte deklaruar Putin.

“E dyta dhe shumë e rëndësishme është se vetëm ushtarakët e NATO mund ta bëjnë këtë, mund t’i përdorin ato sisteme. Ukraina nuk i ka ata ushtarakë. Nëse kjo ndodh, do të thotë përfshirjen direkte të SHBA dhe vendeve evropiane në këtë konflikt. Dhe kjo ndryshon të gjithë esencën e konfliktit. Kjo do të thotë se SHBA dhe NATO dhe vendet evropiane janë në luftë direkte me Rusinë. Dhe ne do të ndërmarrim menjëherë çdo vendim bazuar në kërcënimet që na cënojnë”, u shpreh ai.