Në një atmosferë shumë të ngrohtë, me një tortë të madhe me 70 qirinj, e me miqtë e tij të përhershëm, ish-kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano festoi ditëlindjen me nje feste te madhe. Eshte publikuar edhe video nga festa.
Në krah të tij, janë miqtë e ngushtë dhe bashkëpunëtorët e përhershëm të tij. Dallohet qartë biznesmenia Shefikat Ngjela, e pas Nanos është biznesmeni Artan Sevrani. Ulur në krah të Nanos është sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi. Agim Isaku, një bashkëpunëtor i vjetër i ish-kreut socialist ka qenë prezent në mbrëmjen festive organizuar për ish-kryeministrin.
Menjëherë pas shpërthimit të fishekzjarreve, puthjen e parë Fatos Nano siç duket dhe në video e ka marrë nga bashkëshortja Xhoana Nano, e menjëherë pas saj, duket se është shumë entuziast për ta përqafuar edhe Engjell Agaçi.
Ditëlindja ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit në një atmosferë super të ngrohtë, në një sallë mbushur me gati 50 persona, të zgjedhur, bashkëpunëtorë, miq e familjarë të ish kreut të PS.
Fatos Nano, lideri historik i Partisë Socialiste, në fillimet e demokracisë shërbeu për një periudhë të shkurtër kohe si kryeministër. Pas ardhjes në pushtet të demokratëve, ai u akuzua nga qeveria për abuzim me fondet e ardhura për ndihmë dhe u burgos në burgun e Bënçës në Tepelenë. Arrestimi dhe dënimi ishin politikë.
Nano doli nga burgu në 1997, kur burgjet shpërthyen e më vonë, fitoi pafajësinë për akuzën e bërë edhe pse ishte amnistuar. Ai mori drejtimin e qeverisë pasi socialistët fituan zgjedhjet e qershorit 1997 por nuk qëndroi shumë kohë në krye të qeverisë për shkak të problemeve brenda forcës politike dhe pushtetit që shpërndau në shumë duar.
Në përpjekje për rindërtimin e vendit të shkatërruar dhe konsolidimit të ekonomisë, u gjend në një presion gjithmonë në rritje brenda forcës së vet politike që e larguan nga qeveria. Pati një garë të ashpër me Pandeli Majkon në 1999 që e fitoi për pak vota në kongresin e PS dhe pasi kishte bërë një lëvizje “katarsis” brenda forcës politike që drejtonte, një lëvizje që studiohet dhe sot në shkencat politike. Mori dhe një herë drejtimin e qeverisë që u pasua me ulje ngritje të herëpashershme për shkak të akuzave që vinin nga aleatët dhe forca e tiij politike më së shumti sesa nga opozita agresive e kohës.
Pas humbjes së zgjedhjeve në 2005 Fatos Nano, dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Socialiste. Nuk u kthye më pas në politike, edhe pse herë pas here ishte folur edhe si kandidat për president, por asnjëherë nuk u realizua një gjë e tillë.
Në politikën shqiptare, kujtohet si politikani liberal e moderator dhe mes socialistësh mban titullin “lideri historik i së majtës”.