Tre persona janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të një atentati që dyshohej se do kryhej në Berat. Policia njoftoi këtë të martë se ka parandaluar krimin, megjithatë nuk ka mundur të arrestojë autorët.

Personat e shpallur në kërkim janë H.B., 55 vjeç, banues në Kosovë, A.Sh., 30 vjeç, banues në Korçë dhe E.G., 43 vjeç, banues në Tiranë. Ata akuzohen për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Ngjarja

Burime zyrtare thanë se aksioni u organizua pas informacioneve të siguruara se disa shtetas do të kryenin një vrasje në qarkun e Beratit.

Ngjarja

Burime zyrtare thanë se aksioni u organizua pas informacioneve të siguruara se disa shtetas do të kryenin një vrasje në qarkun e Beratit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe ato të Komisariatit të Policisë Berat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, kanë ngritur pika kontrolli me shërbime grackë, në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

“Personat që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara. Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe informacioneve policore të siguruara, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit, të një motomjeti të vjedhur, me 2 skafandra, të veshjeve të kamuflazhit (xhup meshini), të një arme zjarri automatik me silenciator, të një pistolete me silenciator dhe të një sasie municioni luftarak”, thuhet në njoftimin e bluve.

Në vijim, shton më tej policia, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit E.G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.

“Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve intensive që po zhvillohen për këtë rast, nuk mund të japim detaje të tjera mbi motivin e këtij rasti apo mbi objektivin e synuar nga autorët”, mbyllet njoftimi i policisë, që bën me dije se dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Beratit.