
DETAJE/ Dy orë në AMP pasi arrestoi Martin Manen, djalin e biznesmenit Samir Mane, polici Azbi Spahiu telefonoi familjarët i frikësuar…
Oficeri i Policisë Rrugore Azbi Spahiu ka kaluar rrezikun për jetën dhe gjendja është e stabilizuar pasi dje tentoi vetëflijimin në kushte të rënda psikologjike. Bëhet fjalë për policin që katër ditë më parë arrestoi të dehur në timon Martin Manen, djalin e biznesmenit Samir Mane.
Më parë, gjatë ditës së djeshme, sipas vna, oficeri i policisë rrugore Azbi Spahiu ka qëndruar për gati dy orë në zyrat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ku ka pasur debate të forta me drejtuesit lidhur me mënyrën e veprimit gjatë ndalimit të 26-vjeçarit Martin Mane, djali i biznesmenit të njohur Samir Mane.

Sipas burimeve konfidenciale, pas daljes nga zyrat e AMP-së, oficeri Spahiu ka kontaktuar me familjarët e tij, duke shprehur shqetësimin për vendin e punës. Këto deklarata vijnë si pasojë e tensioneve dhe përplasjeve që duket se janë zhvilluar pas ndalimit të të riut, ngjarje që ka shkaktuar jo pak turbullirë.
Dinamika e ngjarjes dhe përplasjet mes drejtuesve të policisë mbeten ende të paqarta, ndërsa çdo interpretim deri tani duket thjesht spekulativ. Megjithatë, fakti që ndalimi i djalit të një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri ka sjellë presion dhe mungesë transparence, shton dyshimet për ndërhyrje në procedurat ligjore.
Ajo që mbetet e hapur është pyetja se sa rëndon pesha e ligjit për të birin e Samir Manes dhe çfarë do të ndodhë me oficerin Spahiu, i cili tashmë ndodhet në qendër të kësaj ngjarjeje që ka trazuar opinionin publik.
Ngjarja është një test për institucionet ligjzbatuese dhe mënyrën si ato trajtojnë rastet që përfshijnë individë me ndikim. Transparenca dhe zbatimi i ligjit për të gjithë njësoj mbeten pritshmëritë e qytetarëve, ndërsa përpjekjet për të mbuluar gjurmët mund të minojnë besimin në institucionet shtetërore. /gazetajone