Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Shkodër, në atë që duket të ketë qenë një atentat i dështuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re. Të plagosurit janë Gjergj Ndërshtiqaj, 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë, si dhe kunati i tij 30-vjeçar, Gjon Nika.
Paraprakisht, dyshohet se objektiv i këtij atentati ka qenë pikërisht ky i fundit.
Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
30 plumba drejt shënjestrës
30 plumba dyshohet se janë qëlluar ndaj dy të plagosurve në Shkodër. Autorët dyshohet se kanë djegur dy automjete, të tyrin dhe të të plagosurve.
Raportohet se autorët e ngjarjes, kanë përdorur tre kallashnikovë për të eleminuar “shënjestrën”, por fatmirësisht Gjon Nika dhe kunati i tij, Gjergj Ndershtiqaj shpëtuan.
Dy të plagosurit kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen nën kujdesin e mjekeve në spitalin e Shkodrës.
Në drejtim të Shkodrës, në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Gjergj Ndërshtiqaj, vëllai i drejtorit të DRSHTRR Shkodër
Gjergj Ndershtiqaj, i cili mbeti i plagosur këtë të martë në fshatin Grudë e Re në Shkodër është vëllai i drejtorit rajonal të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër, Marjan Ndershtiqaj. 28-vjeçari nuk ishte shënjestër e sulmit, por kunati i tij Gjon Nika.