Gentjan Bejtja, 42 vjeç, u ekzekutua pasditen e së premtes në banesën e tij në Larushkë të Fushë Krujës. Mësohet se ndaj Bejtjes është qëlluar me breshëri plumbash.
Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 35 gëzhoja. Për momentin janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në banesën e tij, por nga këqyrja paraprake nuk rezulton që të jetë filmuar momenti i ekzekutimit.
“Zona në terr kur ndodhi atentati mafioz“
Sipas dëshmive të mbledhura në zonë, raporton gazetarja Glidona Daci, 42 vjeçari ka qenë duke punuar tek shtëpia e prindërve e cila është ngjitur me shtëpinë e tij.
Në momentin që Gentiani ka shkuar në shtëpinë e tij dhe është afruar te rruga kryesore, ka ardhur “Land Roveri” dhe dy persona kanë dalë nga makina, ndërsa dy të tjerët kanë qenë po ashtu te armatosur dhe të maskuar, por kanë qëndruar brenda automjetit.
Dy autorët e dyshuar kanë hapur zjarr në drejtim të tij. Bejtja ka tentuar që t’u shmanget plumbave dhe është afruar në drejtim të hyrjes së serës aty ku humbi jetën. Prindërit kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë vrapuar për tek shtëpia e tij.
Vlen të theksohet se pak para orës 16:25 kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur drita në zonë. Hetuesit bëjnë me dije që kamerat tregojnë momente para dhe pas ngjarjes, por nuk është filmuar momenti i ngjarjes, sepse duheshin disa minuta për t’i rindezur. Ende nuk është e qartë se nga kanë ardhur autorët, por dyshohet se janë larguar në drejtim të Thumanës.
Informator?
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, dyshohet se dikush shumë pranë Bejtjas mund ta ketë tradhëtuar duke treguar që ai ndodhej në shtëpi.
Dëshmitë e familjarëve nuk ndihmojnë hetimet
Pas ngjarjes, të parët që janë marrë në pyetje kanë qenë familjarët e Bejtjes.
Ata nuk kanë pranuar që të kenë konflikte dhe deklarimet e tyre nuk i kanë ndihmuar shumë hetuesit që të kenë një pistë konkrete për vrasjen e tij.