Detaje tronditëse nga mbledhja e Komisionit Hetimor për TIMS, se ky sistem që përmban të dhënat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, ka rënë në duart e personave të paautorizuar dhe që nuk kanë lidhje me Policinë e Shtetit.
Një detaje që ka llahtarisur anëtarët e komisionit gjatë dëshmive për 12 orë me radhë mbrëmjen e djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka qenë fakti se emra të caktuar që kanë hyrë e kanë dalë nga territori i Shqipërisë, nuk janë regjistruar në TIMS.
Pra, me mbështetjen e njerëzve që kanë pasur në Departamentin e Teknologjisë në Policinë e Shtetit, këta shtetas kanë hyrë e kanë dalë sipas qejfit nga kufijtë e Shqipërisë.
Njerëz të botës së krimit dhe persona të tjerë me influencë, kanë ndikuar që Sistemi TIMS “të fikej” kur ata kalonin në dogana dhe të dhënat e tyre nuk janë përcjellë në qendër. Këto, janë deklaruar e pranuar nga dëshmitarët në Komisionin Hetimor në Kuvend.
Por, kush ka qenë i interesuar që TIMS të fikej?!
Zyrtarët e lartë që kanë dëshmuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm në Komisionin Hetimor Parlamentar i cili drejtohet nga Ervin Salianji, me pjesëmarrjen e anëtarëve nga të opozita dhe mazhoranca, kanë pranuar nën betim se akses në sistem kanë pasur dhe persona të pautorizuar.
Konkretisht, kur njerëz të botës së krimit të skeduar nga Policia e Shtetit dhe të tjerë me probleme në vendin tonë kanë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, të dhënat e pasaportave të tyre nuk janë dërguar në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit te Rruga “Mine Peza”.
Ndodhur në këto kushte, kur të dhënat e Stacioneve të Policisë Kufitare nuk janë rakorduar me Qendrën në Tiranë, personat në kërkim dhe me probleme janë lejuar të hyjnë dhe të dalin nga territori sipas qejfit, sepse kanë figuruar “të pastër”, meqë Sistemi TIMS nuk ka funksionuar.
Për këto fakte, anëtarët e Komisionit Hetimor menjëherë kanë kërkuar të mblidhet me urgjencë Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe të merren të gjitha masat e nevojshme./Newsbomb