Shkodra u trondit më 29 qershor nga ngjarja e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë babë e bir. Gjokë dhe Eduart Gurra u vranë me armë zjarri rreth orës 16:40 , rruges per ne shtëpinë së tyre në fshatin Sumë të njësisë administrative Pult.
Ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët apo motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Policia e Shkodrës i ka përqendruar hetimet për zbardhjen e vrasjes në një konflikt që Gjokë Gurra ka pasur një vit më parë me një bashkëfshatarin e tij, sipas abc.
57 vjeçari dhe i njohuri i tij që tashmë po hetohet nga policia, janë konfliktuar dhe zënë me grushta vitin e kaluar.
Nga dëshmitë e banorëve të fshatit Sumë, por edhe të familjarëve të dy viktimave, shkak i sherrit të asaj kohe ishte bërë tregtimi i lëndëve drusore.
Gjokë Gurra që deri në vitin 2008 ka shërbyer në radhët e policisë në Shkodër, kohët e fundit bashkë me të birin, Eduardin merrej me aktivitetin e tregtimit të lëndës drusore për zjarr.
Ata kishin zënë disa zona pyjore për t’i prerë dhe lëndën drusore e shiste në qytetin e Shkodrës.
Konflikti mes Gjokë Gurraj dhe bashkëfshatarit të tij një vit më parë kaloi në heshtje por policia dyshon se ky sherr mund të jetë bërë shkak për vrasjen e babë e bir pasditen e datës 29 qershor në hyrje të fshatit Sumë.
Gjokë dhe Eduard Gurra u qëlluan me 8 plumba kallashnikovi në makinën e tyre teksa ishin duke shkuar në fshatin ku kanë jetuar prej vitesh për të parë dëmet që u ishin shkaktuar nga djegia e banesës. Djegia e banesës para se t’u bëhej atentat babë e bir dyshohet se është organizuar me qëllim nga autorët për t`ju ngritur pritë atyre.
Gjokë Gurra ka punuar edhe si kryeplak i fshatit Bruçaj. Si pistë hetimore për zbardhjen e atentatit, policia ka edhe atë të kultivimit të bimëve narkotike, ku po verifikohen rastet që 57 vjeçari mund të ketë denoncuar në polici gjatë kohës që mbante postin e kryeplakut të fshatit.