Mediat greke kanë zbardhur detaje të operacionit të arrestimit të Jani Aliajt në Athinë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pasi është dënuar përjetë nga gjykatat shqiptare, për vrasjen më 1 Maj 2016 të Elton Çiços për hakmarrje, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Mësohet se mëngjesin e së martës së ndërrimit të viteve, 31 Dhjetor, Aliaj, i arratisur nga burgjet e Korfuzit dhe i dënuar atje për vrasje, u arrestua nga Departamenti i Hetimit të Krimeve të Moskatit.
Ndalimi paraprak u bë për falsifikim, teksa mbante identitetin e rremë Aleksan Kreshnik, 48 vjeç, dhe më tej u zbulua skeda për krimet dhe dënimet e mëparshme.
Aliaj figuronte i arratisur nga burgjet e Korfuzit më 1 qershor 2015, duke shkelur lejen e rregullt 11-ditore, teksa ishte izoluar për vrasje.
Gjithashtu, 47-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm dhe 3 vjet për vrasje nga pakujdesia, lëndim i rrezikshëm trupor dhe armëmbajtje pa leje, e ndodhur në vitin 2006 në Atikën Perëndimore.
Në të njëjtën kohë, nga Interpol Tirana kërkohej për vrasjen e 1 Majit 2016 në Tiranë dhe dënimin po të përjetshëm për këtë krim, i dhënë në mungesë.
Policia greke njoftoi se operacioni u krye nga skuadra speciale e DIAS.
Efektivët fillimisht vunë re lëvizjet e dyshimta të Aliajt në zonën e “Platonos Korai” dhe i kërkuan t’i nënshtrohej kontrollit. Patrulla evidentoi me pajisjen speciale se karta që ai mbante kishte identitet fals.
Për këtë qëllim u transferua në Komisariat, aty ku dhe më tej u zbulua identiteti i tij i vërtetë dhe kartela me krime dhe dënime në dy dekadat e fundit, në Greqi dhe Shqipëri.
Media greke informon se ai ishte i shpallur në kërkim për dy vrasje edhe nga Shqipëria. /gazetajone