Aksidentet në kantieret e ndërtimit nuk janë të rralla në vendin tonë. Më i fundit është regjistruar mbrëmjen e 17 janarit, në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Nusret Xhoka, 60 vjeç, nga Dibra u përplas teksa ishte në krye të detyrës nga një fadromë që drejtohej nga kolegu i tij, 63-vjeçari, nga Prishtina, Rrahman Sllamniku.
Xhoka sapo kishte zbritur nga mjeti i tonazhit të rëndë dhe nuk është vënë re nga Sllamniku e për pasojë ka gjetur vdekjen.
Por cilat janë kompanitë që po kryejnë punimet në aeroportin e Vlorës, të cilat rrjedhimisht janë përgjegjëse dhe për sigurinë në kantier?
Bëhet fjalë për dy kompani, “Mabetex Group” që është në pronësi të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” në pronësi të Valon Ademit, i cili deri në Korrik 2019 ka qenë Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë.
Diskutimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, nisën që në vitin 2018, por u konkretizuan në vitin 2021.
Në 20 prill të vitit 2021 u lidh kontrata e koncensionit mes shtetit shqiptar dhe konsorciumit që u shpall fitues, Mabetex Group në pronësi të Behxhet Pacollit që zotëronte 58% të kapitalit, Yda Group, një kompani turke me 40% të kapitalit, 2A group me 2%.
Yda Group u largua më pas nga aeroporti duke i shitur aksionet dhe punimet po bëhen nga dy kompanitë e tjera, “Mabetex Group” dhe 2A group.
Në fazën e parë (në periudhën dy-vjeçare) do të ndërtohet ndërtesa e Aeroportit dhe pista që kapin vlerën e Investimeve mbi 103,500,000 € dhe në fazën e dytë (në 4 vitet e para) do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe e turizmit. /gazetajone