Elga kishte ardhur nga Gjermania në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan ditën e sotme për të rrëfyer historinë e saj. Në moshën 17-vjeçare, teksa kurorëzohej një martesë, Elga përjetoi dashurinë me shikim të parë me Irakliun. Një vit më vonë, nisi një lidhje mes tyre sepse ndihej njësoj si ta kishte njohur prej kohësh. Për të nuk ishte pengesë fakti që Irakliu është 15 vite më i madh dhe as distanca fizike ndërmjet tyre. Pas pandemisë dhe celebrimit, të dy morën vendimin që të bashkëjetonin në Gjermani dhe Irakliu të largohej nga Shqipëria.
Por e gjithë qetësia e çiftit u prish nga një telefonatë në një orë të vonë të natës dhe prej afro 3 muajsh, nuk janë më bashkë. Një djalë që Elga pëlqente kur ishe 16 vjeçe, e telefonoi në një orë të vonë të natës edhe pse e dinte se ajo bënte një jetë të lumtur me bashkëshortin e saj. E shqetësuar dhe e frikësuar nga reagimi i Irakliut, Elga vendosi të mos i tregonte të vërtetën rreth telefonatës, por pas kësaj qëndronte diçka më e madhe. Një fotografi, të cilën ky njeri pa emër e mbante ende në celularin e tij për të shantazhuar Eglën dhe ajo përpiqej të gjente një zgjidhje për të gjitha bezdisjet e shkaktuara.
Ardit Gjebrea: Të shantazhonte me diçka?
Elga: Po.
Ardit Gjebrea: Do doja që ta tregoje, të pyeta sepse unë e di, por do doja që ta tregoje të vërtetën deri në fund.
Elga: Po, kjo është edhe një nga arsyet pse kam ardhur, të tregoj të vërtetën time. Po, me një foton time që unë me shumë mendjelehtësi, naivitet ia kisha dërguar në atë kohë.
Ardit Gjebrea: E qartë dhe kjo foto, ishte akoma në celularin e tij.
Elga: E tij, në timin jo.
Ardit Gjebrea: Dhe ai çfarë bëri?
Elga: Ne, pas disa muajsh, atëherë kur isha 16 vjeç nuk folëm më, u ndanë rrugët tona se ne u zhvendosëm dhe ai u zhvendos me familjen e tij. Deri para 3 vitesh ishte hera e parë që më foli, por unë për foton nuk dija gjë, mendoja se e kishte fshirë a nuk e di.
Ardit Gjebrea: Dhe ai ta rishfaq këtë foto.
Elga: Ma rishfaqi tani, po.
Ardit Gjebrea: Me cilin motiv?
Elga: Që unë t’i hapja telefonin, mos ta bllokoja më sepse e kisha bllokuar në disa rrjete sociale.
Ardit Gjebrea: Sepse përndryshe ai çfarë do bënte?
Elga: Sepse përndryshe ai më tha që fotoja ime do përfundonte në Facebook me etiketimin tim, ta shikonin të gjithë dhe sigurisht që mua më erdhi turp.
Ardit Gjebrea: Pra Elga ky është motivi përse unë insistova që ti ta thoje këtë histori sepse mund të ndodhë dhe ka shumë të rinj apo të reja që në një moment mund të bëjnë një foto dhe ia dërgojnë dikujt dhe ky person e merr dhe e shantazhin dhe thotë që nëse ti nuk bën këtë gjë që dua unë, unë këtë foto do ta publikoj. Po publikojini ato foto, e çfarë pastaj? Po sikur unë tani të kërkoj emrin tënd, o njeri, që ke shantazhuar këtë vajzë dhe i ke prishur jetën me bashkëshortin e saj, çfarë do të bësh ti, në qoftë se unë publikisht, tani do të të demaskoj ty?
Mesazherja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” u nis menjëherë drejt Vlorës për të ftuar bashkëshortin e Elgës, Irakliun në program, por nuk gjeti askënd në shtëpi. Rexhina priti dhe askush nuk u shfaq. Atëherë, telefonoi Irakliun për t’i përcjellë ftesën dhe përgjigjja nuk ishte aspak ngushëlluese për Elgën që e sheh nëpërmjet ekranit.
Irakli: Ohoo lëre, e mora me mend kush e ka… jo, jo s’jam dakord , jo. Unë e marr me mend kush e ka bërë këtë tashi. Unë i kam sqaruar muhabetet me atë njeri. Ai s’duhet të… të vazhdojë deri këtu, ku di unë çfarë e mendon, nëpër mendje. I duket zgjidhje kjo, nuk e di çfarë i duket, por nuk është zgjidhje.
Rexhina: Nuk keni mundësi që të vini, të takohemi, të flasim?
Irakli: Unë jam në Vlorë.
Rexhina: Po në Vlorë jemi edhe ne se për ju kemi ardhur posaçërisht.
Irakli: Çfarë thua? Jo moj?!
Rexhina: Jemi përballë derës së shtëpisë, prandaj.
Irakli: Nuk kam interes dhe kot sa t’ju mundoj dhe kot sa të… e kam mendjen të mbledhur për të gjitha, prandaj. Nuk jam më i lëkundur apo… se e di kush e bën.