Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje se Shqipëria do t’u bashkohet vendeve që kanë legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.
Bazuar në këtë deklaratë, gazetari investigativ, Artan Hoxha deklaroi se sa herë është folur për këtë çështje nga politikanët e lartë, “është përkthyer me idenë këtë vit më duket do na lënë të mbjellim”.
Tri herë është folur për legalizimin e kanabisit e të tre vitet janë shoqëruar me bum të kultivimit të kanabisit rekreativ, është folur për qëllime mjekësore por është përthyer në leje verbale të kultivimit të kanabisit e çuditërisht kanë qenë vite parazgjedhore. Në 2016, 2020, e këtë radhë jemi para zgjedhjeve lokale që janë të rëndësishme se opozita është krejt jashtë pushtetit lokal. Kështu është përkthyer nga qytetarët”, tha Artan Hoxha i cili në studion e emisionit “Pikat mbi i” tha se rëndësi ka që në këtë moment Shqipëria të legalizojë prodhimin e kanabisit rekreativ, që është kthyer në një brand ndërkombëtar, jo të kanabisit për qëllime mjekësore.
“Se kanabisi mjekësor ka kushte rreptësisht rigoroze për tu kultivuar, halli jonë të legalizojë këtë kanabisin tjetër. Duhet të dekriminalizojmë kanabisin rekreativ, është brand kombëtar, e prodhojmë ne kemi një brand”.
Sipas Artan Hoxhës, nisma merret për të lejuar veprimtarinë e disa oligarkëve që të hapin disa kompani, ndërsa prodhimi do të shkojë jashtë.
Pa përmendur emra, Hoxha tha se një prej këtyre oligarkëve pritet të zbulohet së shpejti.
“Kanabisi mjekësor dallohet. Kanabisi mjekësor mbillet jo nga fshatarët, fermerët, por nga oligarkët. Njëri nga këta të mëdhenjtë fare, është promotori që e ka bërë këtë gjë. Do ja dëgjoni krismën. Kompania që do të vijë, do të prodhojë, do e dëgjoni. Ky do të jetë i gjithi për eksport, vaji kryesohet. Na u soll si shembull Maqedonia. Në 11 licencat e para që dha Maqedonia, 7 ishin nga Shqipëria që menduan se u bë deti kos. Maqedonia vërtetë mblodhi në fillim lekë, shkuan dhe punëtorë nga Shqipëria, dhe vaj në këtë shtet ka një kompani amerikane. Gjithë të tjerët, iu ngeli stok. Këta që kanë shkuar sot nga Shqipëria janë gropë, kanë dështuar. U premtua para zgjedhjeve se do të ndryshonte ligji, dhe deri tani…Shqipëria sot ka problem kanabisin rekreativ”, tha Hoxha.