Në dosjen prej 104 faqesh “Metamorfoza2” janë të detajuara bisedat e zhvilluara mes grupit kriminal që zbardhin dhe rolin e Ervin Matës, të njohurin si ‘boli i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim, si dhe të Bujar Gërmizit (Ajeti), që u arrestua në Kukës.
Pikërisht ky i fundit, në mesazhet që shkëmben, shfaqet i shqetësuar pasi i druhet një spiunimi nga Erzen Breçani. E gjitha kjo ndodh pasi Gërmizi ishte vënë në dijeni se ishte vënë nën përgjim.
Pjesë nga dosja:
Më datë 15.08.2020 ora 18:23:54, Bujar Ajeti duke përdorur Ç4RE2 komunikon me perdouresin J35P60 ku flitet reth faktit që e kanë përgjuar dhe se kush ia ka dhënë këtë informacion. Ata zhvillojne biseden:
J35P60: Po ç’ne aty duke ju përgju juve me lale…Si esht puna…Kush paska qen ai motër***…
Ç4RE2: O lalefije e per pe…Rop***..Iphone lale…e mbajm me vete. Pa e hap fare… fikem. Komplet.
J35P60: Hë mos ia fut kot.
Ç4RE2: I pergjo.Po lale…100 %.Po po. Me anë të imeit….
Në orën 18:26:39 Ç4RE2 dërgon mesazhet ku dyshohet se me fjalën “erz” i referohet Erzen Breçanit,
Ç4RE2: Mu kan qen tu mpergju…E ka hanger ai tjetri…Erz…Ato lart…O lale…E kan bo…të Tiranes…Pash zotin mos fol me kan. Se **ja ropt pastaj…Maje per vete ç’a folem bashkë…S’jam tu i zanë besë as këtij tani….
Erzen Breçani, ish-drejtues policie, dhe njëherësh ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, u arrestua të hënën në kuadër të goditjes së një grupi kriminal, i cili trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, por edhe kishte kryer dhe organizuar plane për eleminimin fizik të disa personave.
Në dosjen e SPAK, Breçani evidentohet në disa episode, fillimisht për lidhjen e tij familjare me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit të tij, por edhe për shoqërinë me të fortin e Kukësit Bujar Germizi.
Djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani dhe Ervin Mata janë në kërkim nga SPAK, por ende autoritetet nuk kanë rënë në gjurmët e tyre.
Në kërkim është shpallur dhe Ismail Zeneli. Ndërkohë ditën e nesërme pritet që të dalin para gjykatës Erzen Bercani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti.