Dosja KURUM , nga skandali i mashtrimit të bankave te mbetjet toksike dhe “helmimi” i Shqipërisë

Kompania “Kurum” është në qendër të skandalit të trafikimit të dy anijeve me përkatësisht 60 dhe 40 kontejnerë mbetje të rrezikshme, më konkretisht pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, drejt Tajlandës dhe aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Durrësit.

Skandali nisi me flakjen në rrugë të 500 punëtorëve me argumentin se janë rritur kostot e prodhimit. Kështu nga 1 gushti, firma ndaloi prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin.

Por, ky nuk është skandali i vetëm I kësaj kompanie dhe pronarëve të saj, të cilat kanë “gjetur shesh dhe bëjnë përshesh” në Shqipëri. Në vendin e origjinës, Turqi, pronari Asmet Kurum ka qenë në qendër të një tjetër skandali mashtrimi ku mediat turke e kanë akuzuar se u mori qindra miliona euro bankave turke e britianike dhe 210 milion euro bankave shqiptare në formë kredie duke gënjyer me bilancet.

Skandali mori përmasa gjigantë pasi pjesë e listës së bankave të mashtruara ishin turke, shqiptare, madje edhe britanike duke e kthyer në një skandal ndërkombëtar.

Gazeta turke “Sabah” shkruan se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes kompanisë “Kürüm International SHA” ka të bëjë me një mashtrim gjigant që i është bërë bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli.

Siç shkruan gazetarja turke Dilek Güngor në “Sabah”, mashtrimi ishte aq mirë i menduar sa “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.

Kompania “Kürüm Demir” i përket biznesmenit të njohur Haşmet Bedii Kürüm, i cili ka qenë më herët edhe pronari i ekipit të futbollit të Besiktasit në Turqi.

Sëfundmi ajo është paditur në gjykatë nga 14 banka turke për mashtrim, pasi mori rreth 191 milion euro kredi përmes bilanceve fiktive, ndërkohë që kompania në fakt ishte duke falimentuar.

Të njëjtën praktikë sipas “Sabah”, kompania turke e ka ndjekur edhe në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA” duke marrë 210.3 milion euro kredi nga bankat shqiptare.

Siç shkruan “Sabah“, “Kürüm International SHA” në Shqipëri ka marrë kredi përmes bilanceve fiktive nga bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Mashtrimi në Turqi

“Kürüm Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi. Deri në vitin 2013, kur hekuri prodhohej kryesisht përmes mbledhjes së skrapit, kompania kishte të ardhura të mira dhe nxirrte mjaft fitim. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

Siç raporton “Sabah”, ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime.

Përmes këtyre bilancëve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rrejshme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të marrë kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit.

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Haşmet Bedii Kürüm.

Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin.

Mashtrimi në Shqipëri
Gazeta turke “Sabah” shkruan se kompania mëmë “Kürüm” ia faturonte një pjesë të humbjeve të sa atje, filialit në Shqipëri “Kürüm International SHA”.

Për të mbuluar këto humbje, “Kürüm International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek disa banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre.

“Sabah” shkruan se bëhet fjalë për bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Drejtuesit e kompanisë akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave.

Mashtrimi i kryer nga “Kürüm Demir” ka shkaktuar një shqetësim të madh në Turqi, në një moment kur sektori bankar është në vështirësi të mëdha për shkak të problemeve të mëdha ekonomike që po kalon vendi, të cilat po shoqërohen me rritje te shpejtë të kredive me probleme.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë reflektimi në Shqipëri i këtij mashtrimi, i cili vetëm nga bankat shqiptare ka “përpirë” 210 milion euro.

Zullumet e Kurum në Shqipëri

Mbetjet toksike u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan dhe kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës.  Mbetjet toksike u shitën tek kompania ‘Sokolaj’ dhe më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë.

Më 4 korrik 2024, anija e parë mbërriti në Tajlandë, por kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkese kishin brenda kontenierëve në Durrës. As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.

Kështu që 40 kontenierët që ndodheshin në anijen e parë do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës. Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht. Në fund të shtatorit, pritet që të dyja anijet të mbërrijnë në Shqipëri. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara.

Por kur erdhi në Shqipëri Kompania Holdingdhe cili ishte itinerari i 25 viteve aktivitet?

Në vitin 1998, KurumInternational u regjistruar me vendim të Gjykatës Tiranë me subjekt “import/eksport me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshëm industrial,ushqimor, konfeksione, elektroshtëpiake, karburant e librifikantë si dhe import-eksport të produkteve dhe lëndë të parë, prodhimë çeliku të të gjitha llojeve, industri e rëndë, miniera  dhe hoteleri, me përfaqësues ligjor Hasmet Kurum dhe me capital themeltar 100 mijë lekë.

Në të njëjtin vit, kompania merr në përdorim Uzinat e Çelikut dhe të Petëzimit në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, përmes një koncensioni me qeverinëshqiptare që në atë kohë drejtohej nga kryeministrin Fatos Nano.

Qeveria, në mbledhjen e saj të radhës vendosi dhënien me koncesion të fabrikës së Oksigjenit, e cila deri në Tetor të vitit 2002, ishte furnizuesja kryesore e spitaleve dhe subjekteve private.

Si pasojë e problemeve financiare, fabrika e Oksigjenit në Elbasan, ndërpreu aktivitetin e saj, duke krijuar probleme në furnizimin me oksigjen të spitaleve. Projekti i prezantuar nga shoqëria Kurum, për rehabilitimin e fabrikës së Oksigjenit synonte rritjen e prodhimit të çelikut, me 150 ton më shumë investime.

Në vitin 2002, u depozitua kërkesa për rritjen e kapitalit themeltar nga 100.000 lekë në 150 milion lekë dhe për vlerësimin e kapitalit të shoqërisë caktohet ekspert kontabël Andon Kristo.

Në vitin 2003 u mor vendimi për ndryshimin e subjektit të kompanisë si dhe u ndryshua selia duke u zhvendosur tek “Sky Toëer”.

Në subjekt u shtua dhe: prodhim e tregtim me shumicë e pakicë si për nevojat e vendit ashtu edhe për eksport të: gëlqeres, oksigjenit, azotit, gazit argon, avullit e të tjera gazrave teknike.

Në vitin 2006, me vendim të ortakut të vetëm është vendosur hartimi i bilancit të shoqërisë për 2 vitet e fundit si dhe u bë caktimi dhe emërimi i ekspertit kontabël Andon Kristo për të shndërruar shoqërinë nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në një shoqëri anonime.

Në të njëjtin vit, privatizimi i ndërmarrjeve të ish-çelikut të partisë që u konsiderua si shpëtim për gjigantin e furrnaltave e të tymnajës mbytëse mbi Elbasan, Metalurgjiku nisi t’i ngjante gjithnjë e më tepër një gërmadhe. Specialistë dhe drejtues të Metalurgjikut kanë hartuar me dhjetëra projekte për transformimin e fabrikave dhe uzinave të tij në potenciale prodhuese, por këto mbetën vetëm në letër.

Fabrika e oksigjenit në këtë sektor funksiononte në vitin 2006 vetëm me 12% të kapacitetit dhe shtimi i prodhimit të saj konsiderohej si mjaft i dobishëm, por specialistët e firmës turke, “Kurum” shpreheshin skeptikë për realizimin për shkak të amortizimit të fabrikës.

Tashmë krenaria e dikurshme, vënia në funksion për grumbullimin e plehrave të qytetit të një sipërfaqe prej 53 mijë metra katrorësh, të përftuar nga procesi i prishjes dhe pastrimit të ambienteve, ishte kthyer në një truall bosh që nuk përdorej më as për tokë bujqësore për shkak të ndotjes.

Në vitin 2007 kapaciteti i prodhimit ishte rritur në 550.000 ton/vit, ndërsa në vitin 2008 filluan  investimet për të rritur kapacitetin e prodhimit të Uzinës së Çelikut në 420 mijë ton/vit. Kurum Gëlqere fillon të ushtrojë aktivitetin nën strukturën e Kurum International.

Në vitin 2009, në 10-vjetorin e fillimit të aktivitetit të Kurum International, përfundoi dhe proçesi i privatizimit të Kompleksit të Prodhimit të Çelikut në Elbasan.

Në vitin 2010 u bë bashkimi i shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” Sh.a (shoqeria perthithese), me Nipt K02727230T dhe shoqerise “KURUM GELQERE” sh.a (shoqeria e perthithur), me Nipt K22909201Q. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e shoqërisë “KURUM GELQERE” Sh.a, kaluan në favor të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” Sh.a.

Vlera e Kapitalit ishte 700.100.000 lekë dhe u bë 728.800.000 lekë.

Në të njëjtin vit u shtua administrator Koray Zeytinoglu, ndërkohëqë u largua administratori Hasmet Kurum si dhe në Këshillin Mbikëqyrës u shtuan anëtarët Yakup Metin Karahan, Ahmet Fuat Erkal sidhe u largua anëtari Zeki Kaya.

Në vitin 2011, Kurum International vuri në punë impiantin e përpunimit të skrapit, kondiratorin. Impianti pati një impakt të rëndësishëm në rritjen e efiçencës së prodhimit dhe uljen e konsumit të energjisë elektrike në Uzinat e Prodhimit të Çeliqeve.

Në vitin 2012, e depozitua vendimi i Asamblesë së aksionarëve që vendosën rë rrisin kapitalin themeltar të shoqërisë nëpërmjet përfshirjes së fitimeve të mbartura e të pashpërndara. Për të përgatitur këtë  raport u caktua shoqëria audituese “ATK Auditing” shpk me ekspert kontabel te autorizuar z.Andon Kristo, i njëjti ekspert kontabël që ka pasur më herët në dorë bilancet e të njëjtës kompani.

Në të njëjtin vit, Kurum International filloi proçedurat për privatizimin e katër HEC-eve (Ulëz & Shkopet dhe Bistrica 1 & 2) nga shteti shqiptar.

Në vitin 2013, me përdorimin e HEC-eve, Fabrika e Prodhimit të Çeliqeve u kthye në një impiant të integruar, i cili prodhon vetë energjinë e nevojshme për aktivitetin e tij.

Në këtë fazë u bë largimi i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe emërimi si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i Melih Guven, Yucel Aksu dhe Bunyamin Diricanli.

Por tatëpjeta zyrtarisht nisi në viin 2015, kur Kurum nisi mbylljen e adresave dytësore,duke ngushtuar kështu aktivitetin.

Kjo ishte dhe një parapërgatitje për të shpallur falimentin!

Pak muaj përpara deklarimit për falimentim (26.02.2016) të Albanian Kurum International sh.a. (100% në pronësi z. Hasmet Bedii Kurum) dhe të Turkish KURUM Holding SA (100% në pronësi z. Hasmet Bedii Kurum) dhe KURUM Demir SA (100% në pronësi Kurum Holdings), kompania serbe NOVOMETAL D.o.o., 100% në pronësi të shtetasit turk z. Cagatay Uraz, mori pronësinë e kompanisë shqiptare ALBAMETAL Sh.p.k., në atë kohë një lojtar i nivelit të II në tregun e skrapit dhe hekurit për ndërtim.

Uraz ishte një i afërm i Hasmet Kurum.

Pra, Kurumi u shit vetë pronarit të Kurum sepse kompania ALBAMETAL Sh.p.k administrohet nga një ish-punonjës i vetë Kurum.

Pse u bë kjo gjë? Ndoshta për të shmangur detyrimet?!

Kështu që shoqëria Alba Metal ia doli që brenda afatit sipas Ligjit Shqiptar të Falimentit ia doli që vetëm një javë përpara shpalljes së falimentit të ketë në zotërim të gjitha asetet e prekshme të Kurum dhe 100% të aksioneve në pronësi të z.Hasmet Kurum.

Zyrtarisht u deklarua se kjo gjë erdhi pasi Kurum Intl. hyri në një Marrëveshje Kredie/Tregtare me Albametal Sh.p.k. që arrinte shumën prej 25 mln €.

Një veprim i tillë, mund të konsiderohet nga kushdo, si një mashtrim ndaj kreditorëve të Kurum Intl., duke paraqitur më pas një kallëzim penal (p.sh. konspiracion, mashtrim, etj) kundër të gjitha palëve të përfshira , dmth Kurum Intl., administratorit të saj, z.Hasmet Kurum, Albmetal dhe Administratorit të saj.

Për Konsorciumin e Bankave ndërkombëtare dhe vendore në drejtim të një veprimi të tillë të dyshimtë ekziston termi e “peng negative”, që do të thotë se çdo barrë e mëtejshme e aseteve të prekshme të Kurum Intl. sh.a. mund të bëhet vetëm me ligj me pëlqimin e institucioneve financiare. A kërkoi Kurum Intl. pëlqimin e institucioneve financiare përpara se të ofronte zotime për të gjitha asetet eprekshme të Kurum Intl. në favor të Albametal sh.pk?

Pak muaj para deklarimit për falimentimin e kompanive të Kurum Group, Kompania Turke Kurum Holdings SA shiti aksionet e saj 100% në Durrës – Kurum Shipping Sh.a në shtetin e Delaëare (SHBA) një kompanie të regjistruar METAL COMMODITIES FOREIGN TRADE CORP. CORP. me Agjent të saj, kompaninë Amerikane Corporate Consulting Ltd.

Këtu nisi dhe përplasja me shtetit shqiptar që përfundoi në Arbitrazh.

Së fundmi Shqipëria ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar përballjen me kompaninë “Kurum”, e cila ka pasur koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit. Kompania kërkonte 100 milionë euro dëmshpërblim, por Gjykata e Arbitrazhit në Uashington ka dhënë vendimin më datë 26 korrik, në favor të qeverisë shqiptare, pas pretendimit të kompanisë turke për dëmin e shkaktuar nga mbyllja e parakohshme e koncesionit që duhet të zgjaste 35 vjet, por që mbeti aktiv vetëm 9 vite.

Tashmë, qeveria tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e Portit të Durrësit në port turistik, ndërsa ai tregtar do të zhvendoset në Porto Romano.

Më datë 11.12.2018, me anë të Vendimit Nr. 10234, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u mbyll Procedura e falimentit të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A. si dhe u hartua miratimi i Planit të Riorganizimit të shoqërisë.

Konkretisht sipas vendimit nr. 6631/1112 datë 30.06.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin Nr. 297 datë 19.02.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë u vendos që:

Debitori “KURUM INTERNATIONAL” SH.A. të vazhdojë të shlyejë detyrimet ndaj të gjithë kreditorëve sipas përcaktimeve dhe afateve në Planin e Riorganizimit dhe të përmbushë kushtet ligjore të zbatimit të tij.

Debitori “KURUM INTERNATIONAL” SH.A., i kthehet tërësisht e drejta e disponimit të pasurive të tij dhe masa e falimentit duke respektuar kufizimet e vendosura në Planin e Riorganizimit të miratuar.

Ngarkohet Mbikqyrësja e zbatimit të Planit të Riorganizimit Znj. Lindita Kikino të mbikëqyrë në përputhje me përcaktimet e Planit të Riorganizimit dhe dispozitat ligjore, përmbushjen e pretendimeve të kreditorëve sipas Planit të Riorganizimit.

Debitori “KURUM INTERNATIONAL” SH.A., Mbikëqyrja e zbatimit të Planit të Riorganizimit dhe çdo subjekt i përcaktuar në plan detyrohen të zbatojnë të gjitha udhëzimet dhe detyrimet e përcaktuara në kushtet e Planit të Riorganizimit sipas vendimit nr. 6631/1112 datë 30.06.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë “Për miratimin e Planit të Riorganizimit”.

Statusi i shoqërisë kaloi nga “Shoqëri në procedurë falimenti” në “Aktiv”.

Puna vijoi dhe në vitin 2022, situata mori një tjetër kthesë. Më datë 04.07.2022 lëshuar nga Përmbarues Gjyqësor Privat Dorian Skëndi, u urdherua vendosja e mases se sekuestros konservative mbi kuotat e debitorit, shoqeria “KURUM INTERNATIONAL” SH.A.me NIPT- K02727230T, me administrator Erdal Demir.

Ndërsa më datë 15.07.2022 lëshuar nga Përmbarues Gjyqësor Privat Dorian Skëndi, u urdhërua heqja e masës së sekuestros konservative mbi kuotat e debitorit, shoqëria “KURUM INTERNATIONAL”

Me datë 22.11.2023, sërish është depozituar urdhri Nr. 14570 Prot, leshuar nga Zyra Permbarimore Tiranë, ku është urdhëruar: Vendosja e masës së sekuestros konservative nga kuotat/aktivet e kapitalit në subjektet “Kurum Internacional” SHA, me Nipt K02727230T.

Më datë 10.01.2024, është depozituar urdhri nr. 262 Prot, protokolluar nga QKB me Nr. 691 Prot datë 11.01.2024, lëshuar nga Zyra e Përmbarimit Tiranë ku është urdhëruar: Heqja e sekuestros konservative mbi kuotat e subjektit debitor KURUM INTERNATIONAL SH.A.me NIPT K02727230T sipas shkresës Nr. 14570 Prot datë 22.11.2023, të zyrës sonë, pas detyrimi është likujduar tërësisht 09.01.2024.

Skandalet e kompanisë Kurum në Shqipëri

Në nëntor të vitit 2023, qyteti i Elbasanit u ndot nga djegia e pikës së skrapit të Kurum në Elbasan dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm.

Shkelja e kushteve në punë, pakujdesia, apo më keq akoma, djegia e qëllimshme e mbetjeve, kanë shkaktuar prej kohësh ndotje masive në Elbasan, duke e shndërruar në një prej qyteteve me ajrin më të papastër, që rrjedhimisht bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.

Vdekja e punëtorit

Një rast ka qenë më i rëndi. Më 28 nëntor 2018, e njëjta zonë u përfshi nga një zjarr i fuqishëm dhe konkretisht në repartin e petëzimit vdiq një punëtor. Punonjësi i vinçit gjatë kryerjes së detyrës për transportimin e hekurishteve ngavend-depozimi për në repartin e shkrirjes u urdhërua që të ngjitej tek pjesa e vinçit. Dhe sapo e bëri këtë gjë, u rrëzua dhe rrotat e hekurit e shkelën mes përmes në trup duke bërë që të ndërronte jetë në spital.

Ky rast është mbuluar nga pluhuri dhe herë pas herë, denoncimet në rrjetet sociale e risjellin në vëmendje për faktin se si heshtën autoritetet shqiptarë.

Shkurtimet e punonjësve kanë qenë gjithatu një nga temat për të cilat Kurum është lakuar.

Në vitin 2015, kompania turke Kurum shkurtoi 200 vende pune gjë që solli revoltë të sindikatave dhe punëtorëve. Këshilli sindikal i punonjësve të Kurum deklaroi në atë kohë se shkurtimi i 200 punonjësve nga Kurum është një “bombë” sociale për Elbasanin.

Më 1 qershor të vitit 2021 u përsërit e njëjta gjë, pasi u shkurtuan 20 punonjës dhe kolegët e tyre dolën në protestë.

Tashmë prokuroria kërkon nga Kurum çdo shkresë që disponon për shitjen e mbetjeve te “Sokolaj shpk” apo subjekte të tjera, që nga viti 2020 e deri në vitin 2024. Javën e ardhshme pritet që të merren sërish në pyetje administratorët e kompanisë Sokolaj shpk, ata të KURUM dhe autoritetet e Doganave dhe Portit të Durrësit.

Kurum duhet të japë llogari edhe për mbylljen e uzinës së çelikut në Elbasan duke flakur në rrugë 500 punonjës, të cilët janë të pambrojtur përballë turqve. Aktualisht, edhe Inspektoriati i Punës ndodhet pranë Kurum për të parë kontratat e punës me punonjësit që kanë ngelur tashmë në rrugë. /Gazeta Korrieri