Autoritetet e drejtësisë në Dubai i kanë kërkuar informacion palës shqiptare, Interpolit dhe SPAK lidhur me statusin e Endrit Dokles, ish-anëtar i bandës së Durrësit. I liruar me kusht teksa vuante një dënim të përjetshëm Dokle u shpall në kërkim nga SPAK në maj të këtij viti kur u goditën 4 grupe kriminale.
Endrit Dokle ka qenë drejtues i bandës së Durrësit, ndërsa është liruar nga burgu në janar të vitit 2020. Dokle njihet për armiqësinë e tij me Ervis Martinaj, pasi ky i fundit ka qenë i gatshëm të paguajë 500 mijë euro për ekzekutimin e ish-anëtarit të bandës së Durrësit. Ky fakt është zbardhur nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili i kishte marrë 100 mijë euro parapagesë Martinajt për të vrarë Doklen, por ky objektiv nuk u arrit kurrë.
Pas masakrës së Fushë Krujës, ku mes 3 personave, u vra edhe Brilant Martinaj, Endrit Dokle u mor në pyetje. Megjithatë ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen. Edhe herë të tjera Dokle është shprehur se nuk i ka marrë për bazë deklarimet e Dumanit, duke mohuar pretendimet e një hakmarrjeje të mundshme ndaj Martinajt. /gazetajone