Nuredin Dumani dhe dy të tjerë të penduar të drejtësisë, kanë zbardhur atentatin e tre viteve më parë ndaj prokurorit Arja Ndoja.
Kujtojmë se me 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, është bërë atentat ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndërsa udhëtonte makinën tip ‘Benz’ me targë AA 333 ZD, i shoqëruar nga Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si “Rrumi i Shijakut”, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili humbi jetën.
Nën akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili dhe pas dëshmive të dhëna nga të penduarit e drejtësisë, janë arrestuar dhe shpallur në kërkim edhe të tjerë persona.
Nuredin Dumani dhe dy të tjerë, raportohet se kanë dhënë dëshmi me prova, rreth personave që përfshirë në këtë krim.
Ata dyshohet se kanë treguar porositësin e vrasjes, duke drejtuar gishtin nga Plarent Dërvishaj, kunati i Lulzim Berishës.
Pas këtyrë dëshmive është planifikuar edhe operacioni policore që u shtri në disa qytete, Tiranë, Durrës, Fushë Krujë, ku u kontrolluan 11 banesa.
Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, 11 orë dore të markave të shtrenjta, të cilat do të analizohen në vijim nga hetuesit deri në detaje.
Të arrestuar:
Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës.
Marsel Deçka (38 vjeç).
Endrit Sinani (29 vjeç).
Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç).
Të shpallur në kërkim:
Julian Meçaj.
Plaurent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai.
Ramazan Rraja, të cilit dje iu kontrollua shtëpia, por nuk u gjet.
I katërti i shpallur në kërkim është identifikuar si A.SH. (alias D. Sh).
Akuzat ndaj tyre
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.