Xhemal Loka, i arrestuar pasi dyshohet se shtyu gruan e tij Bedrie Lokën, drejt vetëvrasjes është marrë në pyetje sërish nga policia.
Sipas bluve të Durrësit rezulton se kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij të ndjerë. 45-vjeçari gjatë marrjes në pyetje ka mohuar akuzën.
“Nuk e kam dhunuar gruan. Bashkëshorten e kisha për shtëpi, nuk e çova drejt vetëvrasjes. Vetëvrasja e saj erdhi si pasojë e postimeve të TikTok-ut. Kemi pasur konflikte si çdo familje, por gruan e doja. E kam dashur si nënën e fëmijëve të mi. Në mëngjes kam parë që kishte pirë helm dhe e kam çuar me shpejtësi drejt spitalit të Durrësit për ta shpëtuar. Gruan time e dua dhe nuk e kam dhunuar”, ka deklaruar Xhemal Loka, bashkëshorti i 41-vjeçares, e cila i dha fund jetës duke pire fotoksinë..
Ndërsa lidhur me dëshmitë e fëmijëve të cilët kanë deklaruar se babai i tyre i bënte shantazh të vazhdueshëm nënës së tyre si dhe bisedat e kapura në celularë ku nuk mungojnë kërcënimet, ai ka preferuar të heshtë. Nuk ka dhënë asnjë përgjigje, bëjnë të ditur në policinë e Durrësit.
Policia ka sekuestruar telefonin i tij celular që e kishte fshehur te motra e tij. Hetuesit kanë në duar veç telefonit të tij edhe atë të bashkëshortes tashmë të vdekur.
Xhemal Loka u arrestua një ditë më parë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.