Në autostradën Levan-Vlorë janë ende të freskëta gjurmët e atentatit mafioz të ndodhur një natë më parë, ku mbeti i vrarë Kristjan Marku nga Mamurrasi.

Xhama të makinës së thyer që gjenden ende në rrugë, shenja të frenimit në rrugë, si dhe pjesë të makinës anës rrugës.

Ndërkohë kamerat e sigurisë kanë filmuar lëvizjen e makinës së autorëve dhe viktimës.

Autorët dyshohen se i kanë zënë pritë, në momentin që 30-vjeçari ka kaluar mbi nënkalimin e Novoselës.

Atentatorët që dyshohen se mund të kenë qenë tre persona, kanë dalë nga nënkalimi dhe i janë afruar makinës tip Volksvagen Pasat që udhëtonte i riu.

Pasi janë afruar në krahun e djathtë nga ana e pasagjerit, kanë shtënë në drejtim të tij me më shumë se 13 plumba, tre prej të cilave e zunë në trup.

Gjatë rrugës makina që udhëtonte 30-vjecari është përplasur disa herë me trafikndarësen deri sa ka ndaluar.

Marku humbi jetën nga plagët e marra. Në momentin që policia ka mbërritur së bashku me ambulancën,  kjo e fundit është larguar sërish pasi 30 vjeçari kishte humbur jetën.

Jo më shumë se 1 km nga vendgjarja  më pas u gjet makina e djegur e autorëve. Ndërkohë rreth 10 persona janë pyetur në polici për ngjarjen.

Ata janë kryesisht persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Ndërsa 4 persona, anëtarë të fisit Reçi nga Rrësheni janë shoqëruar në polici, pasi efektivët kanë kryer kontrolle gjatë natës  në banesën e kësaj familje.

Ata janë marrë në pyetje në lidhje me krimin, por kanë mohuar të kenë dijeni dhe lidhje me ekzekutimin e 30-vjeçarit.

E kaluara kriminale e të riut Marku e ka çuar grupin hetimor drejt pistës së vrasjes për hakmarrje.

I riu është nipi i Martin Bardhit, i vrarë më 26 shtator 2023, edhe ky dyshohet viktimë e sagës së hakmarrjes mes dy fiseve Reçi dhe Bardhi.

Po në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një tentativë për të ekzekutuar nipin e Kastriot Reçit në 26 marsin e dy viteve më parë.