Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako është arrestuar mesditën e sotme nga policia e Tiranës. Pak ditë më parë SPAK i kërkoi Kuvendit që t’i hiqte imunitetin, por socialisti dha dorëheqjen dhe sot policia e arrestoi. Ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij Sokol Hazizaj.
Ai akuzohet për korrupsion, falsifikim dhe shpërdorim detyre për rastin e inceneratorit të Fierit, që deri tani ka çuar pas hekurave ish-ministrin Lefter Koka, por edhe shtatë zyrtarë të tjerë të shtetit dhe kompanisë, mes tyre tre drejtorë të rëndësishëm të administratës publike.
Dosja për inceneratorin e Fierit
Arrest me burg
Alqi Bllako-ish-deputet
Lefter Koka, ministër i Mjedisit akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” (ndodhet në burg).
Pëllumb Abeshi, ish-anëtar i Komisionit për dhënien e inceneratorëve. Aktualisht drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit.
Azem Shatëri, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Fier.
Florjan Muçaj, anëtar i Komisionit të prokurimeve, sot drejtori i Albpetrol.
Klodian Zoto, akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”
Arenc Myrtezani, ish-administratori i inceneratorit të Fierit. I akuzuar për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Arrest shtëpie
Sabina Cenameri, ish-anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit.
Etleva Kondi, ish-anëtare e komisionit për dhënien e koncesionit.
Masat për inceneratorin e Elbasanit
Arrest me burg
Bardhyl Çabiri, ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit.
Arrest shtëpie
Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim.
Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim.
Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Fierit
Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 4 (katër) pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Lefter Koka, me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2. Këto pasuri kanë një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëtëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.
Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit Edmond Bllako lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Elbasanit
14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²;
3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²;
1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²;
8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.