Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, është shkarkuar nga detyra e saj gjatë një mbledhjeje urgjente të Qeverisë shqiptare, shkruan Albanian Post.
E gjitha ndodh vetëm pak orë përpara fillimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet pasditen e 26 korrikut, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm të kreut të selisë rozë dhe ku pritet po ashtu të ketë ndryshime strukturore.
Ibrahimaj njihej si njeriu i Samir Manes në qeverinë Rama, ndërsa pritet dhe largimi i Krifcës pas skandalit me fondet e IPARD.
Lajmin e pati paralajmëruar Gazeta Jonë disa muaj më parë, Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet.
Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ndërsa, ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2019, përpara se të emërohej ministre.
Ajo ka qenë po ashtu në drejtimin e INSTAT gjatë viteve 2015-2016 dhe ka koordinuar çështjet financiare dhe ekonomike në Kryeministri më parë.
Shkarkimi i Ibrahimajt përbën edhe të dytin në pak ditë nga kryeministri Rama, i cili më parë ka liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën në pozitën e lartë.