Gazetari Investigativ, Artan Hoxha, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kapje e Nuredin Dumanit nuk kishte qenë e rastësishme dhe se policia kishte pasur informacione të tjera për vendndodhjen e tij.
“Policia nuk e ka marrë rastësisht informacionin për vendndodhjen e Dumanit. Në gjithë këtë histori, stërmullari janë këta ekzekutorët. Këta nuk janë organizatë kriminale, por vrasës me pagesë të cilët marrin porositë dhe i kryejnë”– tha Hoxha.
Ndërsa më tej, Hoxha u shpreh se pas dëshmisë së Dumanit, ose më saktë që prej kapjes së tij, ekzistonte mundësia që i shpalluri në kërkim Talo Çela të mos gjendej më dhe as të mos kishte mundësi të dëshmonte, duke nënkuptuar kështu se mund të ishte ekzekutuar.
Artan Hoxha: Kam dyshime se Talo Çela nuk do kemi më mundësinë ta intervistojmë por as të shohim imazhin e tij. Dhe besoj që kjo gjë ka ndodhur pas momentit që Nuredin Dumani është arrestuar. Unë dyshoj që nuk kemi për ta parë më. Uroj që ta kem gabim, por kam shumë dyshime që ne nuk do kemi mundësinë të bëjmë atë që bëri Taku, ta intervistojmë Talo Çelën.
Spartak Koka: Kjo do të thotë se mund ta kenë vrarë?
Artan Hoxha: Me shumë mundësi po!