Gazetarja, Klodiana Lala, në emisionin “Të Paekspozuarit” ka komentuar dorëheqjen e deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Lala tha se lobe të fuqishme brenda PS duan të zaptojnë qarkun e Durrësit dhe Çyrbja nuk iu duhej ferrë nëpër këmbë. Gazetarja gjithashtu tha se sipas burimeve të saj, Çyrbja do të merret i pandehur nga SPAK.
“Ju thoni dha dorëheqjen, nuk mendoj se e ka lënë mandatin, mendoj se e kanë detyruar të shkojë drejt një vendimi të tillë. Nuk e lidh fare me Prokurorinë e Posaçme. Unë e kam ekspozuar Jurgis Çyrbjan në vitin 2017-2018, me biseda të një grupi të struktuar kriminal me një nga njerëzit më të besuar të Shullazit.
Lobe të fuqishme brenda PS duan të zaptojnë qarkun e Durrësit dhe Çyrbja nuk iu duhej ferrë nëpër këmbë. Mendoj se ka një lojë të pistë dhe të thellë që Çyrbja të mos ishte pjesë e Parlamentit. Ta them për shumë arsye. E kam parë hetimin që po kryhet ndaj Jurgis Çyrbjas, ai është kallëzuar nga Paloka, është kallëzim që ka të bëjë me mbivendosjen e pronave kur ai drejtonte hipotekën e Durërsit. Mendoj se është një prapaskenë dhe lojë e pistë i grupimeve dhe lobeve në Durrës” – u shpreh Lala.
Ish deputeti u paraqit në SPAK para dy ditësh, ndërkohë që njoftoi dorëheqjen ditën e sotme (10 tetor).