edi rama

Kryeministri Edi Rama ka marrë de facto drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në vendimet e fundit për drejtimin e institucionit.

Kryebashkiaku në detyrë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, ka firmosur nga qelia një urdhër të datës 19 mars, përmes të cilit delegoi kompetencat te Sara Goxhaj, një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta. Ky vendim shfuqizoi urdhrin e mëparshëm të Ramës, i cili kishte caktuar Anuela Ristanin në krye të bashkisë.

Plas lufta Rama-Veliaj, kryebashkiaku shkarkon Anuela Ristanin, kryeministri shkarkon Alban Dokushin dhe Sara Goxhajn në prag mesnate

Por zhvillimet morën një kthesë të papritur mbrëmjen e djeshme, kur kryeministri Rama shkoi personalisht në bashki dhe urdhëroi anulimin e vendimit të Veliajt. Ai shkarkoi menjëherë Sara Goxhajn dhe Alban Dokushin, duke rikthyer në detyrë Anuela Ristanin.

Burime nga bashkia bëjnë me dije se policia bashkiake është udhëzuar të mos lejojë Goxhajn dhe Dokushin të hyjnë në institucion. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si është kryer ligjërisht anulimi i emërimit të Goxhajt, pasi kjo është një kompetencë që i përket Këshillit Bashkiak ose kryetarit në detyrë, Erion Veliaj.

Këto lëvizje vijnë në një moment kur raportet mes Ramës dhe Veliajt duket se janë përkeqësuar, duke nxitur spekulime për një “luftë të ftohtë” mes tyre. Dallimet mes dy figurave politike janë reflektuar qartë në përplasjet për kontrollin e Bashkisë së Tiranës, e cila në 24 orët e fundit ka parë disa ndryshime drastike në drejtim./gazetajone