Kryeministri Edi Rama ka ndarë së fundmi detaje “ekskluzive” nga rutina e tij e përditshme, në podkastin “Flasim.” Me një stil që duket i frymëzuar nga përkushtimi “i pakufi” për vendin, Rama na zbulon disa nga “sakrificat” e tij.
Përballë publikut, kreu i qeverisë zbulon “sekretin” e energjisë së tij: mbi 10 kafe në ditë! “Dridhje? Shqetësime? Zero,” thotë ai, i sigurt se ky zakon nuk e prek aspak. Por, Rama nuk e fsheh një ndjenjë “meraku” për faturat e ardhshme shëndetësore, një shqetësim që e preokupon, ndërsa i përkushtohet vendit duke “lënë veten pas dore.”
Rama gjithashtu pranon se fle shumë pak. Gjumi për të duket një luks i panevojshëm. Madje, ai qetëson publikun se edhe sasitë e shumta të kafesë nuk ia prishin atë pak gjumë që zë. Publiku mund të rrijë i qetë: kryeministri është gjithmonë në gatishmëri, një “punëtor i përjetshëm.”
Dhe pse të hapë një podkast? Sepse, sipas tij, Shqipëria “reale” është shumë më ndryshe nga ajo që shfaqet çdo ditë në lajme. “Vetëm krim dhe zhurmë,” thotë ai, ndërsa vetë është aty për të ofruar një pasqyrë të një vendi që sipas tij, ka mbetur në hije. Një hapësirë për “realitete të reja,” dhe për më tepër, “free pa pagesë.”
Në përmbyllje, Helena Kaçe mund të ndjehet e sigurt: kryeministri vazhdon të punojë pa pushim, duke “sakrifikuar” për Shqipërinë dhe duke mbajtur gjithçka nën kontroll – natyrisht, ndërsa mban një filxhan kafeje në dorë.