EKSKLUZIVE/ “Çmendet” Andis Salla , tender 805 milionë lekë Eral Myftarajt dhe Yzedin Bozhajt me flamur të kuq, dalin dokumentet
Mbarimi i pushimeve verore ka bërë që institucionet të nisin tenderët për pjesën e mbetur të vitit buxhetor, por duket se në Bashkinë Cërrik e kanë marrë me shumë “zell” këtë punë duke bërë “faulle” që mund t’i kushtojnë shumë kryetarit dhe KVO-së. SPAK-u është duke vëzhguar me vëmendje dhe ndonjë çmenduri që nuk kapet sot, për shkak fluksit të madh të çështjeve, mund të kapet edhe “nesër”.
Siç mëson Gazeta Jonë, Bashkia Cërrik kishte shpallur pak javë më parë një tender me objekt “Rikonstruksion i plote i shkolles 9-vjecare, ndertim i nderteses se kopshtit te femijeve, palestres, terreneve sportive fshati Selvijas, Nj.ADM Klos” duke vënë në dispozicion të këtij projekti jo pak më shumë se 830 milionë lekë të vjetra duke ftuar kompanitë private që të bënin ofertat e tyre për marrjen e projektit.
Sëfundmi, siç vërehet edhe nga dokumentet e siguruara nga Gazeta Jonë, Bashkia Cërrik ka shpallur fitues një bashkim kompanish si “Meteo” shpk – “Shendelli” shpk, të cilat kanë marrë përsipër që ta mbyllin projektin kundrejt një shume 805 milionë lekë të vjetra ose sa 97 për qind e fondit limit.
Vetë APP i cilëson problematika shifra të tilla, ku tenderët fitohen me nga 97% të fondit limit që tregon se nuk ka patur konkurrencë mes operatorëve. Një fakt i tillë tregon se ose procedura ka qenë false dhe është paracaktuar fituesi, ose operatorët janë marrë vesh me njeri-tjetrin, por në çdo rast, kontraktuesi, në rastin konkret, Bashkia Çërik duhet të merrte masat për të mbrojtur interesat e qytetarëve duke patur qëllim primar bërjen e një pune cilësore me sa më pak para.
Por, kjo nuk ka qenë prioriteti i Andis Sallës në Cërrik, i cili ka autorizuar vijimin e procedurave dhe shpalljen fitues të bashkimit të kompanive “Meteo shpk” dhe “Shendelli shpk”. “Meteo shpk” është në pronësi të Eral Myftarajt, një personazh i njohur ky për lidhjet me të majtën. Myftaraj ishte kryelajm në fillim të verës pasi u kërcënua nga biznesmeni Shaqir Alcani që të tërhiqej nga një tender drush në Bashkinë e Tiranës.
Rezulton se Myftaraj ka marrë një mori tenderësh në bashkitë e qarkut të Elbasanit, pjesën dërrmuese të tyre pranë fondit limit.
Nga ana tjetër, duket se kompania “Shëndelli” shpk është marrë në tender nga Myftaraj për të plotësuar kushtet ekonomikë dhe teknikë. Kompania në pronësi të të famshmit Yzedin Bozhaj operon kryesisht në bashkitë e jugut dhe janë bërë bashkë me Myftarajn për të kapur një llokmë të mirë me firmën e Andis Sallës.
Projekti
Gazeta Jonë ka siguruar edhe projektin e shkollës që do të rikonstruktohet si edhe ndërtimet e tjera që do të bëhen aty dhe rezulton se bëhet fjalë për një godinë dy katëshe, e cila nuk do të ketë ndonjë gjë speciale për të shpenzuar mbi 800 milionë lekë të vjetra. Ka dyshime të forta se punimet janë fryrë me qëllim rritjen e Kostos së projektit. Siç mëson Gazeta Jonë, në preventive për shembull parashikohen edhe dyer të blinduara! Për çfarë mund t’i duhen dyer të blinduara një shkollë?! -Këtë mund ta shpjegojë vetëm Andis Salla që ka dhënë “viston” për shpalljen fitues të Myftarajt dhe Bozhajt.
Flamur i kuq
Tenderi është shpallur me flamur të kuq nga Open Procurement Albania, një platformë e specializuar për vlerësimin e konkurrencës në tenderë. Flamuri i kuq është ngritur pasi tenderi nuk është zhvilluar në kushtet e konkurrencës, kjo konfirmohet edhe nga fakti se Myftaraj dhe Bozhaj ekanë fituar atë me 97% të fondit limit.
Pavarësisht këtyre shkeljeve të bëra ditën për diell, Andis Salla ka vijuar procedurat duke mos pyetur as për taksat e qytetarëve dhe duke sfiduar SPAK-un dhe KLSH-në hapur fare. Ai ka dashur të tregohet i zgjuar duke ia lënë nënkryetarit Tomorr Zaimaj vendosjen e firmës për njoftimin e tenderit, por përgjegjësia bie mbi të. /Gazeta Jonë
*Shkrimi është publikuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarisë investigative në Shqipëri”, mbështetur nga organizatat europiane të medias.