Gazeta Jonë ka siguruar detaje ekskluzive nga vrasja e biznesmenit Eduart Reçi mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë arme, ç’ka e bën policinë të dyshojë se ekzekutimi i Reçit mund të jetë bërë me një armë snajper ose pistoletë me mulli, e cila përdoret kryesisht nga personazhe që janë ekspertë në vrasjet me pagesë.
Dyshohet konfirmohen edhe nga fakti se autori ka qëlluar vetëm njëherë duke qënë i sigurt se ia kishte arritur qëllimit.
52-vjeçari u qëllua mbrëmjen e djeshme me armë zjarri dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës ku humbi jetën.
Plumbi i kishte kaluar në kokë tej për tej. Grupi hetimor që po heton vrasjen e biznesmenit ka sekuestruar kamerat e sigurisë.
Në pamje dëgjohet një e shtënë dhe menjëherë 52-vjeçari bie përdhe pasi plumbi e kap në kokë. Fatkeqësisht pamjet e sigurisë nuk kanë filmuar autorin ose autorët për shkak të errësirës.
Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni për konflikte të Reçit me persona të tjerë.
Eduart Reçi prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë më herët ka qënë drejtor në institucionin e SHISH. /gazetajonë