Dje u mbushën katër muaj që nga dita kur Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar i bëri publikisht ftesë ish-kreut të PD-së Lulzim Basha për të vizituar Amerikanë duke dhënë kështu një mesazh të se ai ishte alternativa e amerikanëve për opozitën në Shqipëri në një kohë kur Sali Berisha ishte targetuar si “non grata”.
Madje, Basha tha pas takimit me Escobarin se e kishte planifikuar një vizitë në SHBA, e cila sipas tij do të kryhej shumë shpejt.
“Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres më shumë kënaqësi dhe padiskutim po planifikoj një vizitë në Uashington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat e PD por daljen nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen e Shqipërisë përpara me reformat politike, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe procesin europian të Shqipërisë”, tha Basha duke qeshur në krah të Escobarit.
Por, shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo ditë dhe Basha jo vetëm që nuk udhëtoi drejt SHBA-ve gjatë muajve që pasuan, por tashmë humbi edhe partinë si edhe mundësinë për të shkelur në tokën e premtuar pasi amerikanët ia kanë hequr vizën, në të dyja kuptimet e fjalës.
“Gazeta Jonë” mëson nga burime brenda PD-së së Basha nuk ka mundur të marrë një vizë për të shkuar në SHBA dhe kjo tregon se atje nuk e pret askush për aq kohë sa ambasada këtu nuk i jep leje për të shkuar në Amerikë.
Raportet mes Bashës dhe Yuri Kim janë ftohur ndjeshëm dhe tashmë ai është rikthyer në një marrëveshje me Berishën, të cilin më herët e përjashtoi nga grupi për shkak se ishte shpallur “non grata” nga amerikanët.
Basha dhe Berisha janë në rrugën e shpëtimit të kokës së tyre duke përdorur PD-në dhe demokratët e thjesht, ndërsa punët e tyre duan t’i çojnë para me kamikazë të dështuar si Oerd Bylykbashi dhe Enkelejd Alibeaj që nuk kanë marrë dot as një grusht votash në zonat ku kandiduan në 25 prill.
Heqja e vizës ndaj Bashës nuk do të thotë që raportet e Berishës me SHBA-të janë përmirësuar, përkundrazi. Berisha mbetet “non grata”, ndërsa tashmë opozita duhet të gjejë një emër tjetër, përtej Bashës dhe Berishës dhe kamikazëve të tyre. /GazetaJonë