Ditën e sotme është ekstraduar nga Belgjika drejt vendit tonë Leonard Duka, ish-miku i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, që pas u kthyen dhe armiq të përbetuar të njëri-tjetrit.

Leonard Duka u arrestua në një provincë të Brukselit në shkurt të vitit 2023, teksa fshihej në një banesë private. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet si porositësi i vrasjes së ish-policit Santiago Malko në Gusht të vitit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, i konsideruar si krahu i djathtëi Ervis Martinajt.

Për atentatin ndaj Malkos, Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vjet burg Blendi Tetën, ndërsa vijon procesi për të arrestuarin tjetër Ilir Selmani. Për të njëjtën ngjarje në kërkim janë edhe 5 persona të tjerë, mes të cilëve dhe vëllai i Leonard Dukës, Erlisi. Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon në mungesë.

Gjithashtu, Leonard Duka u rishpall në kërkim nga SPAK, pas dosjes “Revanshi”, ku bazuar në bisedat e aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”, u zbardhën disa vrasje dhe disa tentativa vrasjesh, ku Leonard Duka kishte tentuar të eliminonte fizikisht edhe vetë Ervis Martinajn.

Kreu i klanit “Duka”, Leonardi dhe Martinaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh. Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës.

Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke dashur ta eliminojë atë fizikisht, por pasi dështoi, i ekzekutoi krahun e tij të djathtë, Santiago Malkon. Përveç krahut të tij të djathtë, Martinajt i është ekzekutuar Fabjol Gaxha në përplasjen e bllokut si dhe kushëriri i tij Brilant Martinaj në korrikun e vitit 2022. Po ashtu, i është vrarë dhe Erigers Mihasi, si dhe i ka bërë atentat Ylli Brahimit, ku u vra Klisman Preçi.