Fran Prendi, ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda, djali i të cilit, Klaudio Prendi, u ekzekutua në një atentat mafioz gjatë natës në zonën e Xhamllikut, ka gjykuar çështje me rëndësi të madhe.
Ai iu bashkua Gjykatës për Krime të Rënda në vitin 2006 dhe ka dhënë vendime të forta, përfshirë dënimin e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij kriminal. Gjithashtu, ai dënoi me burgim të përjetshëm Salvatore Letizian, të njohur si “Picolo Letizia”, pjesëtar i organizatës mafioze italiane Camorra, për masakrën e ndodhur në vitin 2015 tek Bulevardi “Zogu i Parë”.
Për një kohë të gjatë, Prendi ka qenë nën mbrojtje të posaçme. Në vitin 2020, ai dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, përpara procesit të vettingut. Pas atentatit mafioz ku u vra i biri, krahas pistave të tjera, prokuroria po shqyrton edhe mundësinë e një hakmarrjeje për shkak të punës së tij si gjyqtar. Sipas hetuesve, ngjarja ka qenë e mirëorganizuar deri në detaje, duke treguar për përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal.
Klaudio Prendi u qëllua në automjetin e tij me silenciator, pak minuta pasi ishte larguar nga një lokal ku kishte qëndruar me miqtë. Autorët dogjën makinën e përdorur në krim, e cila mbante targa të huaja, në zonën e Farkës.