EMRA/ Peshkatarët e Rozafa me anijën e Gjergj Lucës vjedhin velierën në Sarandë, policia i kap gafil dhe i arreston
Një velierë turistike me vlerë mbi 300 mijë euro është arritur të vidhet nga moli i policisë Kufitare në Limion të Sarandës.
“Ora News” raporton se vjedhja është kryer në orën 02:00 të mëngjesit të dy ditëve më parë nga disa peshkatarë egjiptianë që punojnë për llogari të biznesmenit, Gjergj Luca.
Aktualisht mes 4 shtetasve Egjiptianë të arrestuar, në pranga ka rënë dhe kapiteni i anijes së peshkimit A.N 53 vjeç, I cili së bashku me egjiptianët kanë vjedhur velierën nga vendi i bazimit në mol, dhe e kanë tërhequr atë me peshkarexhën që është në pronësi të kompanisë së Gjergj Lucës.
Nga burimet pranë prokurorisë së Sarandës, gazetari ka mësuar se veliera në momentin kur është vjedhur, ka qënë e sekuestruar nga prokuroria dhe ishte lënë në ruajtje në bazën e policisë kufitare të Sarandës.
Por me një aksion blic, njerëzit e biznesmenit Gjergj Luca, kanë shkuar gjatë natës dhe e kanë marë mjetin lundrues, duke e rimorkuar atë në drejtim të veriut.
Të vënë në dijeni për vjedhjen e mjetit lundrues, policia kufitare në bashkëpunim me Guardin Di Financian, kanë arritur të lokalizojnë peshkarexhën e Gjergj Lucës, teksa lundronte në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman.
Policia ka marë masë ndaluese, duke shoqëruar si peshkarexhën dhe velierën në zonën detare të Triportit në Vlorë.
Lidhur me këtë çështje, ka shfaqur interes të vazhdueshëm biznesmeni Gjergj Luca, i cili pretendon se veliera është gjetur në det të hapur prej anijeve të peshkimit të tij dhe për pasojë veliera me vlerë mbi 300 mijë euro, tashmë është pronë e tij.
Veliera është gjetur në rrethana të dyshimta në det të hapur në muajin Qershor të këtij viti.Por pas hetimeve të kryera nga prokuroria e Sarandës, është vendosur që mjet ti kthehet pronarit të ligjshëm, pa përcaktuar se kush është pronari i ligjshëm.
Kjo pasi në velierë nuk është gjendur asnjë dokumentacion që provonte se mjeti i përket një personi, qoftë shqiptar apo i huaj.
Nga ana tjetër Gjergj Luca pretendon se pronësia e velierës i përket atij, pasi ishin peshkatarët e anijeve të tij të peshkimit që kishin gjetur në det të hapur mjetin lundrues.
Duke u nisur nga kjo ide se e drejta e pronësisë mbi velierën i përket Gjergj Lucës, atëherë biznesmeni përmes një aksioni të fshehtë të kryer gjatë natës me peshkatarët e tij egjiptianë dhe kapitenin shqiptar, ka mundur të vjedhë velierën, duke u përpjekur ta sjellë atë në Portin e Durrësit ose Shëngjinit.
Policia dhe Guardi Di Financa, kanë arritur të bllokojnë të dy mjetet në zonën e grykëderdhjes së Semanit në Detin Adriatik.
Ndërsa janë arrestuar 5 shtetasit Andon Nako. 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit, Abdou Elzantawy. 55 vjeç, Samir Ghonim. 40 vjeç, Mohamed Elshamy. 43 vjeç dhe Ibrahim Aboushahin. 34 vjeç.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Vlorë u referuan materialet në prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.
Punonjësi i policisë nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit veliere të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.
Të arrestuarit janë:
Andon Prenk Nako, kapiteni i anijes ‘Rozafa 14’ i datëlindjes 17.11.1970 lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë.
Mohuamet Elashamy i datëlindjes 13.03.1980, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Samir Ghonim i datëlindjes 01.09.1983, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Abdou Elazantaëy i datëlindjes 16.09.1968, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Ibrahim Abushahin i datëlindjes 29.10.1989, lindur në Egjipt banues në Lezhë.
Njoftimi i policisë:
Tërhoqën pa leje një mjet lundrues tip veliere, të sekuestruar nga Policia, që ishte ankoruar në port, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas.
4 shtetasit e arrestuar, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit që tërhoqi mjetin lundrues veliere nga vendi ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.
Procedohet penalisht punonjësi i Policisë Kufitare Sarandë, që kishte për detyrë ruajtjen e mjetit lundrues veliere.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se në portin e Limionit, Sarandë, ishte marrë duke u tërhequr nga një anije peshkimi, një mjet lundrues tip veliere që ishte vendosur në sekuestro në muajin qeshor të këtij viti, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër).
Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë, të Delta Force dhe të Guardia di Finanza-s, u bë i mundur gjetja dhe bllokimi i mjetit lundrues tip veliere, i cili po tërhiqej nga një anije peshkimi në bordin e së cilës ndodhej ekuipazhi i përbërë nga 5 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit;
– A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, punëtorë peshkimi.
Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur mjetin lundrues tip veliere të sekuestruar nga Policia, që ndodhej i bllokuar në portin e Limionit, me pretendimin se kjo veliere ishte pronë e tyre.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër) u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pas nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit veliere të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.