Autoritetet greke janë alarmuar nga arratisja e dy të burgosurve shqiptarë nga burgu rural i Kassavetia, mbrëmjen e së enjtes. Dy të burgosurit, Romeo Qosja dhe Lefter Toçi, ishin dënuar me 20 vjet burg për krime të rënda, përfshirë vrasje, grabitje dhe zjarrvënie, raporton newsbomb.gr.

Qosja, 41 vjeç nga Cërriku, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për vrasje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr dhe armëmbajte pa leje. Personi i dytë, Lefter Toçi, 41 vjeç nga Bradasheshi i Elbasanit, i dënuar nga Gjykata e Athinës me 20 vjet heqje lirie për pjesmarrje në organizatë kriminale, bashkëpunim në vrasje, plagosje me pasojë vdekje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr.

Sipas mediave greke, dy shqiptarëve të arratisur u kishin dhënë 5 ditë pushim në vitin 2024. Ata përfituan nga kthimi i tyre nga leja e fundit disa ditë më parë për të planifikuar dhe ekzekutuar arratisjen e tyre. Mbrëmë gjatë kontrollit nuk u gjetën në ambientet e izolimit, duke vënë në alarm autoritetet.

Zhdukja e tyre, e cila u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, shkaktoi mobilizimin e menjëhershëm të Policisë, pasi dy të arratisurit konsiderohen të rrezikshëm, për shkak të precedentëve të rëndë kriminalë, ndërkohë që vijojnë hetimet për gjetjen e tyre. Në të njëjtën kohë ka pikëpyetje edhe për masat e sigurisë në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit./gazetajone