Ardi Veliu do të menaxhojë kompaninë shtetërore të Prodhimit dhe tregtimit të Armëve “KAYO” sh.a.
Kompania e themeluar në shtator të këtij viti do të jetë përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, të municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
Bazuar në ligjin e botuar në Fletoren Zyrtare në muajin gusht, përgjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj, Shoqëria do të ndjekë gjithashtu interesa ekonomikë dhe tregtarë që lidhen me industrinë ushtarake.
Në tregtimin e armëve mund të përfshihen edhe privatët, nëpërmjet formës së koncesionit për të financuar projektet e subjekteve për qëllime të veçanta.
Sipas qeverisë, kjo industri mund të kthehet në fitimprurëse për ekonominë shqiptare, ndërsa ka një kërkesë të madhe globale për armë dhe municione.
Ato që bien në sy janë rrogat e majme që do të kenë drejtuesit e “KAYO”.
Drejtori i përgjithshëm i KAYO-s, konkretisht Ardi Veliu, do të paguhet 564 mijë lekë në muaj.
Zëvendësdrejtori i saj do të paguhet 454 mijë lekë në muaj, ndërsa 4 drejtorët e drejtorive do të paguhen secili nga 509 mijë lekë në muaj.
Vetëm për stafin drejtues prej 6 vetash, shoqëria do të paguajë mbi 300 mijë euro rroga në vit, ndërkohë që për përgjegjësit e sektorit dhe ekspertët rrogat do të jenë nga 344 mijë lekë në muaj.
Ardi Veliu më herët ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe kreun e AMP (Agjencia e Mbikqyrjes Policore)