Një sasi lënde narkotike kokainë prej rreth 900 gramësh është sekuestruar nga Policia e Tiranës, pas një hetimi të ndjekur prej 4 muajsh nga Sektori i Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë së Kryeqytetit.

Si rezultat është arrestuar një i ri, i cili sipas bluve të Tiranë, drogën e posedonte me qëllim shitjen. Në kuadër të operacionit të koduar “Interruption” është vënë në pranga shtetasi Kristian Buçi, 22 vjeç, banues në Tiranë.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në automjetin e këtij shtetasi, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, dhe më pas në banesën e tij, ku kanë gjetur në total rreth 900 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi municioni luftarak.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Burime bëjnë me dije se Kristian Buçi është kapur nga Policia brenda parkingut të QSUNT-së, ku dyshohet se e kishte lënë si pikë takimi me blerësin. I riu dyshohet për shpërndarje të sasive të mëdha të kokainës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.