Në Maqedoninë e Veriut është arrestuar, Remzi Azemi, i cili ishte shpallur në kërkim nga Ekuadori pasi akuzohet për disa vrasje.
I riu, me origjinë nga Kosova, ishte shpallur në kërkim me “kod të kuq” për vrasjen e një tjetër shqiptari në Ekuador. Bëhet fjalë për ekzekutimin e Ilir Hidrit, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2017.
“Gjatë procesit hetimor janë grumbulluar prova që vërtetojnë lidhjen e shtetasit të Kosovës me këtë krim. Azemi R. ishte në njoftim të kuq për atë vrasje.
Ndaj edhe njësia Gjyqësore Kriminale Jugore, me seli në Guayaquil, kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij në vitin 2021,”-shkruajnë mediat ekuadoriane lidhur me kapjen e tij.
Remzi Azemi në vitin 2014 ishte arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në Ballkan, së bashku me 11 të tjerë, përfshirë shqiptarë e ekuadorianë.
Banda e Azemit akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë, shkruante Express. Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë.
Megjithatë, Azemi kishte dalë nga burgu pas një muaji, nga fundi i vitit 2017, Azemit iu bë një atentat në qendër të Guayaquilit.
Kësaj ngjarjeje, i pasoi ekzekutimi i Ilir Hidrit, po ashtu një narko-trafikant shqiptar i cili vepronte në qytetin e Guayaquilit. Tashmë, Remzi Azemi, është në pritje të procesit formal të ekstradimit drejt Ekuadorit./El Universo