Emisioni “Kronos” në MCN TV ka zbuluar një model të ngjashëm me atë të “5D Konstruksion” në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, ku ish-drejtoresha e përgjithshme Erinda Fino (në foto me Veliajn) dhe vartësit e saj, drejtori i Pyjeve dhe Kullotave, Redion Çatri, dhe shefja e sektorit Vilma Diçi, kanë ndarë tendera me një kompani të zotëruar nga bashkëshorti i Vilmës, Fabjan Diçi.
Në vitin 2022, kompania arriti të fitonte 165 mijë euro të ardhura që në vitin e parë të aktivitetit. Në vitin 2023, xhiroja u shumëfishua në rreth 1 milion euro, kryesisht falë kontratave të marra nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Pavarësisht ndryshimeve në emër apo objekt të kompanisë, grupi dyshohet se ka bashkëpunuar në ndarjen e tenderave pa konkurrencë për shitjen e makinave, pyllëzimin me akacie të parqeve të Tiranës, furnizimin me kafshë për kopshtin zoologjik dhe ushqimin e tyre, shpeshherë me çmime shumë më të larta se tregu.
Një tjetër detaj që tërheq vëmendjen është kafeneja pranë fushave të tenisit tek Liqeni Artificial. Kjo kafene qëndron gjithmonë plot, edhe kur fushat e tenisit janë bosh e të pamirëmbajtura. Ky investim, që ka kushtuar rreth gjysmë milioni euro taksapaguesve, menaxhohet nga kompania e Fabjan Diçit, i cili paguan qira vetëm pak më shumë se 1 mijë euro në muaj për një hapësirë prej rreth 600 m², ndërkohë që deklaron rreth 300 mijë euro xhiro vjetore.
Bashkëpunimi dhe lëvizja e skemës te “Tirana Parking”
Një tjetër fakt që vërteton bashkëpunimin midis shefave të Veliajt është lëvizja e strukturës. Pasi Erinda Fino u largua nga drejtoria e parqeve dhe u emërua drejtoreshë e përgjithshme e “Tirana Parking,” ajo transferoi vartësit e saj të mëparshëm në pozitat e drejtorit dhe shefes së sektorit, duke emëruar Redion Çatrin dhe Vilma Diçin, bashkëshorti i së cilës zotëronte kompaninë që dyshohej të ishte e përbashkët. Shpejt pas këtij emërimi, kompania fitoi një kontratë të madhe për blerjen e makinave elektrike, me vlerë 120 mijë euro, duke ofruar 95% të fondit limit. Për fat të mirë, kontrata u anulua, pasi skandali shpërtheu dhe drejtuesit e “5D Konstruksion” u arrestuan.
Akuza ndaj Erinda Finos: Hetimet e SPAK për shpërdorim detyre dhe abuzim me tendera
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka nisur hetime ndaj Erinda Finos për dyshime mbi shpërdorim detyre dhe abuzime me tendera. Më 5 tetor 2024, SPAK kreu një kontroll të autorizuar në banesën e saj dhe sekuestroi telefonin e Finos si pjesë e hetimit. Dyshohet se ajo ka dhënë tendera në mënyrë të dyshimtë, duke favorizuar kompani të lidhura me bashkëshortin e Vilma Diçit, një prej vartëseve të saj, çka ka sjellë përfitime të paligjshme që kapin shifra qindra mijëra euro. Aktualisht, hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht përfshirjen e saj në këtë rrjet të dyshuar korruptiv.
A është i papërfshirë eprori i tyre?
Pyetja që mbetet është: a mundet që një skemë kaq e organizuar dhe e përhapur të jetë realizuar pa dijeninë e eprorit të tyre? E vështirë të besohet se ky rrjet i ngushtë bashkëpunëtorësh ka arritur të realizojë këto skema fitimprurëse pa një mbështetje më të lartë apo pa një mbikëqyrje të përshtatshme. Nëse ky epror është i papërfshirë në mënyrë direkte, a ka mbyllur sytë përballë abuzimeve të dukshme, apo, ndoshta, përfitimi i tij ka qenë më indirekt?
Pavarësisht emrave të ndryshëm të kompanive dhe skemave, modeli mbetet i njëjtë: tendera pa konkurrencë, që i kushtojnë miliona euro taksapaguesve shqiptarë. Ky rast nënvizon nevojën urgjente për një kontroll më të rreptë të procedurave të tenderimit dhe ndalimin e abuzimeve që rëndojnë mbi buxhetin e qytetarëve.