
Erjon Veliaj, i cili u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK, ka tentuar të intimidojë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjykata e Posaçme, e cila caktoi masën e arrestit me burg ndaj Veliajt, e konsideron atë si një person me ndikim të madh dhe me lidhje të forta, që burojnë nga detyra që ushtron.
Për shkak të këtij ndikimi dhe lidhjeve të tij, ai, sipas gjykatës, mund të vërë në rrezik marrjen e provave dhe të intimidojë dëshmitarët.
Madje, gjykata thekson në vendim se Erjon Veliaj ka dërguar mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH-së, duke u kërkuar atyre hapur të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime.
“Erjon Veliaj provohet të ketë dërguar mesazhe të shkruara në adresë të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mesazhe këto që duket se kanë synimin të intimidojnë këta zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre,” – thuhet në vendim.
Më tej, gjyqtari, teksa analizon sjelljen e Veliajt, arsyeton: “Mund të imagjinohet lehtë më pas sesi ky shtetas (Erjon Veliaj) mund të sillet me dëshmitarët potencialë në këtë proces.”
SPAK thotë gjithashtu se edhe Ajola Xoxa ka tentuar të ndikojë te dëshmitarët dhe, në një rast, ka intimiduar ish-drejtoreshën ekzekutive të BYL-A, në bashkëpunim me deputeten e PS-së, Klotilda Bushka, e cila tashmë është vendosur zyrtarisht nën hetim.