
Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi , kontroll absolut te AKSHI , PD kërkon hetime të tenderëve nga SPAK
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli ka denoncuar procedurën e prokurimit të kryer nga AKSHI me objekt: ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 mil euro, e cila u anullua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
PD deklaron se në procedurën e anuluar fondi ishte 3.8 milion, ndërsa në procedurën e rishpallur 3.6 milion. Vangjeli pyet se pse ndryshoi fondi dhe cili ishte justifikimi ligjor?

PD sqaron se “në Qershor të v. 2024 AKSHI shpalli procedurën e prokurimit me objekt: ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 mil euro e cila u anullua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
E njëjta rishpallet në Shtator me objekt: ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile-për Ministrinë e Brendshme’ dhe fondi ndryshon nga 3.8 mil euro në 3.6 mil euro nga këto:
2.5 mil euro implementimi afati 12 muaj.
1.1 mil euro mirëmbajtja afati 24 muaj.
Morën pjesë 3 oferta:
XION IT SYSTEMS GMBH vlera 2.7 mil euro
SOFT Solution vlera 3.1 mil euro
ATOM vlera 3.4 mil euro
U skualifikuan 2 ndër to oferta më e ulët XION IT SYSTEMS GMBH me arsyetimin se nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion të vlefshëm të kërkuar në DT.
Në Tetor 2024 shpallet fituesi SOFT & Solution shpk në pronësi të Ermal Beqiraj me vlerë të ofertës 3.1 mil euro.
1 muaj më pas AKSHI shpall një procedurë tjetër mirëmbajtjeje për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, konkretisht me objekt: ‘Mirëmbajtje e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile-për DPGJC’, fondi 1.9 mil euro dhe shpallet fitues ofertuesi i vetëm pjesëmarrës XION IT SYSTEMS GMBH me vlerë të ofertës 1.9 mil euro.
Mbështetur në sa më lart së pari:
Në regjistrin e parashikimeve për 2024 AKSHI ka cilësuar se fondi që do përdorej për regjistrin kombëtar të gjendjes civile do ishte 3.8 mil euro, ndërsa me dy procedurat e mësipërme për të cilat është njoftuar fituesi fondi tejkalon 5 mil euro.
Në procedurën e anuluar fondi ishte 3.8 mil në procedurën e rishpallur 3.6 mil, pse ndryshoi fondi dhe cili ishte justifikimi ligjor?!
Procedura e rishpallur në Shtator përmbante implementimin 12 muaj dhe mirëmbajtjen 24 muaj ndërkohë pas një muaji shpallet tender tjetër vetëm për mirëmbajtje me fond tjetër 1.9 mil euro duke mbivendosur jo vetëm afatin por edhe fondet e buxhetit të shtetit.
Tani AKSHI të sqarojë për publikun dhe SPAK, procedura fiktive është ajo për implementim dhe mirëmbajtje të regjistrit kombëtar të gjendjes civile me vlerë 3.6 mil euro apo procedura për mirëmbajtjen e këtij regjistri me vlerë 1.9 mil euro…
Sipas verifikimeve tona AKSHI Në vitet 2020, 2022, 2024 të njëjtën procedurë mirëmbajtjeje e ka prokuruar me fiks 1.9 mil euro dhe në të gjitha herët kontraktor ka qenë kompania austriake XION IT SYSTEMS GMBH”.
Më tej PD deklaron se Ermal Beqiri, pronar i 6 bizneseve aktive, me kompaninë Soft & Solution ka marrë nga AKSHI mbi 30 milion euro nga të cilat 22.7 mil euro vetëm në vitin 2024.
Referuar deponimeve të ish numrit dy të qeverisë Arben Ahmetajt, kompania Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirit dhe nën koordinimin e Ergys Ahasit, faturon rreth 80% të tenderave të AKSHI-t.
PD thekson se nëse investigohet rrjedha e parave tek tenderat e AKSHI-t do mbërrihet tek familja e kryeministrit Rama.
Vangjeli shprehet se “i takon SPAK të hetojë me të vërtetë veprimtarinë e AKSHIT, si e pushtoi Ermal Beqiri këtë institucion dhe përfituesit realë të këtyre milionave”. /gazetajone