Gazetari Artan Hoxha thotë se Ervis Martinaj është vrarë, por policia nuk e ka konfirmuar ende një gjë të tillë sepse nuk arrin ta provojë. Duke iu referuar një deklarate të sotme të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, Hoxha tha se me të pranohet pikërisht kjo gjë.
Balla deklaroi në një emision televiziv, se policia ka të dhëna të reja për Martinajn dhe la të kuptohet se ndaj tij është kryer një vepër penale.
“Ervis Martinaj më 17 maj u shpall njeriu më i kërkuar në Shqipëri. Në 9 gusht 2022 ai u zhduk papritur. Ai u rrëmbye dhe u asgjësua. Që nga ajo kohë, kryeministri i la drejtorit të policisë 100 ditë afat. Kanë kaluar një vit e një muaj. Nga ai moment është thënë që policia nuk e provon dot, jo që nuk e di. Të gjithë këta brenda policisë që kanë lidhje me grupet i dinë gjërat. Ajo që lë të kuptohet Balla është se policia e di çfarë ka ndodhur dhe po mundohet ta provojë.
Kur ka ndodhur ngjarja e Martinaj, Sky dhe Ecro kishin dalë nga qarkullimi. Por policia ka kanale të tjera për ta provuar. Mendoj se deri në njëfarë pike, policia nuk ka pasur interes ta zbardhte. Policia e di se çfarë ka ndodhur. Janë pamjet video, por nuk ka kufomë”, tha Hoxha.
Hoxha tha se krimi është financiarisht më i fortë se organizata e policisë, e cila ka për detyrë ta luftojë.
“Nuk është më ‘98 kur kalonte hashashi me mushka. Nëse ne flasim që Ervin Mata mund t’i humbë në një natë gjysmë milioni euro në një kazino, për këtë flasim. Krimi ka buxhet më të madh se Ministria e Brendshme. Si mund të lësh një polic me 500 mijë lekë rrogë. Policëve u vjedh edhe te kapelja, edhe te uniforma. Nuk kanë naftë e nuk flasin dot. Dyshoj se kjo bëhet edhe qëllimisht”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Çfarë deklaroi Balla?
I ftuar sonte në një emision televiziv, Balla deklaroi se policia “ka shumë informacion të ri, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që deri në momentin e konkludimeve nga ana e Policisë së Shtetit, qoftë për autorët, qoftë për vendin ose për dyshimet ku është kryer, nëse është kryer kjo vepër penale, do të hesht”.
I pyetur nëse mund të japë një informacion më të saktë, Balla u përgjigj: “Policia e Shtetit ka një pistë të rëndësishme dhe të besueshme, përmes së cilës synon të zbardhë gjithë këtë ngjarje, por unë e kam të pamundur… Informacioni është sekret dhe është pjesë e hetimit. Mendoj që Policia është në drejtimin e duhur për ta zbardhur këtë ngjarje”.