Mijëra besimtarë myslimanë mbushën mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” ku u organizua ceremonia e faljes së namazit të Fitër Bajramit në Tiranë.

Orari i faljes ishte në orën 06:20 ndërsa programi për Fitër Bajramin filloi në më herët. Pas 30 ditësh agjërimi, besimtarët kremtojnë sot festën e Fiter Bajramit. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët në ceremoninë e faljes së Fiter Bajramit në Sheshin Skënderbej.

Fjala e plotë:

“Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues, nga kudo që po na ndiqni – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju! Sot, posa zbardhi agimi i mëngjesit, në të gjithë vendin po mbretëron gëzimi i festës së namazit të Fitër Bajramit. Besimtarët myslimanë i drejtohen sot Zotit me falenderime dhe lutje për falje, mëshirë e begati. Përgjatë një muaji ne agjëruam, u lutëm e u falëm si shenjë e dorëzimit ndaj madhështisë së Zotit të gjithësisë.

Sot secili prej nesh i lutet Zotit të na pranojë agjërimin, sadakanë e fitrit dhe zekatin.

Të dashur besimtarë!

Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror.

Ashtu siç thotë i dërguari i Zotit: Nëse kemi agjëruar me besim dhe bindje te Zoti i gjithëpushtetshëm, Ai na i ka fal mëkatet.

Agjërimi, përmendja e Zotit, leximi i Kuranit dhe shumë vepra të tjera të mira; kanë ndriçuar zemrat e tona, kanë pastruar ndryshkun e tyre dhe na mundësojnë të hapim një kapitull të ri të jetës.

Kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore e morale. Njerëzit duke pranuar me zemër begatitë e Zotit, pas namazit festojnë dhe gëzohen. Vizitojnë të afërmit dhe japin lëmoshë dhe në realitet hapin një faqe të re të kënaqësisë së Zotit.

Agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një favor që na ka bërë Zoti për të pastruar të vjetrën dhe për t’i hapur rrugë të resë.

Të dashur motra dhe vëllezër

Koha në të cilën jetojmë na ka vënë përballë sfidave e vështirësive me të cilat, më së shumti, përballen kategoritë më vulnerabël të shoqërisë si të moshuarit, fëmijët, të varfërit, jetimët, njerëzit me nevoja të veçanta.

Të dashur motra dhe vëllezër

Zoti na ka pajisur me të gjithë kapacitetin e nevojshëm për t’i përballuar këto sfida të natyrave të ndryshme. Secili nga ne duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim, secili duhet të rizbulojë dhe nxjerrë prej vetes vlerat më të larta njerëzore. Dhe Ramazani ishte një mundësi për të nxjerrë këto vlera.

Të përkushtohemi më shumë ndaj prindërve, të moshuarve, të gjendemi pranë jetimëve. T’i japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmeve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë.

Në një hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Zotin pas kryerjes së obligimeve, është kur një besimtar e gëzon vëllain/motrën e tij”. Parë në këtë drejtim, profeti Muhamed (a.s.) i porosiste shokët e tij që në këto ditë të mos i harronin të varfrit dhe nevojtarët. Kështu, besimtarët përpiqen që me veprimtari dhe bamirësi të ndryshme të plotësojnë nevojat e të varfërve dhe jetimëve që edhe ata të gëzojnë.

Bajrami është ditë gëzimi e hareje, ditë ku manifestohet uniteti, toleranca, forca e paqes dhe vëllazërimi.

Të dashur besimtarë!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është në prag të përkujtimit të 100-vjetorit të themelimit dhe pavarësisë së tij. Nuk ka qenë i lehtë rrugëtimi i këtij institucioni. Sfidat dhe peripecitë që kanë kaluar kolosët e islamit në Shqipëri, ndër ta paraardhës të mitë si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, nuk kanë qenë të lehta. Por ata ia dolën të ruajnë pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni duke u lidhur fort pas burimeve të pastra, Kuranit dhe Sunnetit të profetit (a.s.).

Ne kemi trashëguar nga paraardhësit tanë një frymë tolerance, harmonie dhe vetëvendosje. Ky është një amanet! Ne do ta ruajmë fort atë! Do t’u qëndrojmë këtyre parimeve me lejen e Zotit! Bajramet tona kanë qenë përherë gëzim i përbashkët për mbarë qytetarët, qofshin myslimanë apo jo, po ashtu edhe e anasjellta. Pas namazit të Bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen dhe i urojnë Bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit.

Gëzoni fëmijët me dhurata këto ditë! Ndihmoni nevojtarët, lehtësojuni mundimet të sëmurëve, vizitojini ata! Tregoni mëshirë e përkujdes ndaj prindërve ashtu siç ata kanë treguar ndaj jush teksa ju rritën! Punoni me ndershmëri ndaj vendit, mos prekni pasurinë publike, mos çoni në shtëpitë tuaja të ardhura të pa ligjshme! Mos prekni dinjitetin, nderin dhe shtëpinë e tjetrit, këto janë parime fetare, parime universale! Këto janë veprime që hidhërojnë Zotin! Motra dhe vëllezër!

Luftëra dhe konfliket janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës.

Nga Lindja në Perëndim, pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë.

Të dashur shqiptar, ju uroj përzemërsisht gëzuar Fitër Bajramin, paçi gëzime e hare e begatinë e Zotit në familjet tuaja. Zoti e begatoftë vendin tonë dhe botën mbarë!”