Në Shqipëri mjaft fermerë po hasin vështirësi në shitjen e grurit të sivjetshëm për shkak se çmimi i tregut është thuajse i njëjtë me kostot e prodhimit.

Autoritetet u bënë thirrje atyre një vit më parë, pas agresionit rus në Ukrainë që të kultivojnë grurë me qëllim për të zbutur pasojat e krizës së furnizimeve që shkaktoi lufta.

Por megjithë shtimin e subvencioneve sipërfaqet e mbjella nuk u zgjeruan ndjeshëm. Autoritetet thonë se ndihma financiare kishte synim ta ruante këtë sipërfaqe dhe të konsolidonte prodhimin.

Ndërkaq situatën e kanë bërë më të vështirë edhe problemet e mbartura në bujqësi që lidhen më së shumti me informalitetin dhe copëzimin e tokës.

Në Shqipëri ditët e fundit fermerë të kultivimit të grurit dhe ekspertë të fushës së bujqësisë po shprehin shqetësim në rritje, pasi çmimi i shitjes së grurit në treg është i njëjtë, ose në disa raste dhe nën koston e prodhimit, dhe varion nga 26-27 lekë të reja për kg, ose 27 mijë lekë për ton.
Çmimi u dyfishua pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, dhe mbërriti mbi 500 dollarë për ton, por tregjet u stabilizuan sërish pas arritjes së marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për transportin e drithërave të Ukrainës në Detin e Zi, në korrik të po këtij viti.

Franc Kaloshi një fermer në zonën e Lushnjës i cili kultivon grurë që prej 22 vitesh tha për Zërin e Amerikës, se ky është viti i tij më i vështirë. Kostot e prodhimit janë rritur thotë ai dhe çmimi i tregut është nën këto kosto.

“Prodhimi është në tokë, kjo s’ka ndodhur prej 22 vitesh. Nuk mund ta shes me këtë çmim që është në treg. E kam lënë këtu në magazinë./VOA

Artikulli i plotë këtu.