Nga Indrit Vokshi*

Në Europë të paktën, lufta ka qenë kundër privilegjit, kundër titullit që ngre dikë mbi ligjin, mbi shtetin, mbi shoqërinë. Kjo kërkesë para 400 vjetësh ka qenë krejt reaksionare, krejt heretike, thuhej si mund t’i binden mbreti e aristokracia ligjit, kur ata janë ligji? Sundimi mbretëror quhej i dhënë prej Zotit dhe askush në tokë nuk mundej t’i kërkonte llogari. Ulpiani pati shkruar “Princeps legibus solutus est” – Sundimtari nuk mbahet përgjegjës nga ligji dhe, ky përkufizim mbante në këmbë gjithë sistemin politik.

Hap pas hapi, Anglia spikati në ketë luftë. Fillimisht në krizën e monopoleve mes parlamentit dhe Elisabetës I në fundvitet 1500, pastaj në 1600-tat kur lëvizja e Kromuellit rrëzoi Karlin I dhe vendosi disa kohë protektoratin. E gjitha për sheshim të diferencave dhe balancim e përfshirje të interesave edhe të të tjerëve. Habeas Corpus Act, thonë akademikët anglezë, quhet shpirti i shoqërisë, pasi ndaloi mbretin të kryente arrestime arbitrare të njerëzve.

Barazia para ligjit është themeli i qytetërimit. Amerika e çoi edhe më larg ketë përpjekje. Ke, deri në nivel presidencial, njerëz që janë përballur me ligjin, së fundmi dënohet presidenti Trump. U fal, me ligj, djali i presidentit tjetër, mirëpo për ta falur, duhet fillimisht të jetë dënuar, pra gjykata amerikane ka marrë nën përgjegjësi djalin e presidentit Biden.

Kjo tregon një botëkuptim kulturor, farkëtuar prej grupeve që kërkojnë të përfaqësojnë edhe ata interesat e tyre, jo të lejojnë rrënjosjen apo kalcifikimin e një klike të vetme – kjo e mban shtetin sepse secili ruhet. Ky është edhe kuptimi i pozitë-opozitë, dy grupe kontrollojnë e kufizojnë njëri-tjetrin, duke konsoliduar ligjin si arbitër ku mund ta padisin rivalin dhe të mbrojnë interesat e tyre.

Rasti i çunit të Samirit është simbolik. Polici i cili u hodh nga ballkoni, ka ndaluar e arrestuar edhe shoferë të tjerë të dehur e të aksidentuar por nuk është hedhur nga ballkoni. Dmth tani është hedhur sepse i gjithë shteti i ka ushtruar trysni dhe e ka bërë të ndihet fajtor pse se ka njohur se ai ishte djali i Samir Manes. Fajtor pse se njohe!

Feudalët pa tituj, janë Edi Rama, Sali Berisha, Samir Mane, Kastrati e me radhë. Këta nuk janë princa-feudalë, as dukë, pasi nuk i favorizon konjuktura europiane. A de-fakto, në realitet, quhet reaksionare dhe heretike që një polic të guxojë e të tentojë t’i marrë këta nën përgjegjësi ligjore. Fillimisht iu cënohet prestigji, pasi prestigji i tyre nuk është kulturor dhe prej njerëzish të përulur, është prestigj gangstero-feudal. Pastaj tronditet hierarkia sociale. Hierarkia këtu nuk caktohet nga Zoti e ligji, caktohet nga niveli i pasurisë. Kjo hierarki është anti-Zot.

Edi Rama në ketë rast është “trëndafili i sistemit”. Supozohet që opozita, rivalët në thonjëza të Edi Ramës, ta përdornin ketë rast për të shpallur se kanë botëkuptim ndryshe. Mirëpo as kanë folur, as kanë dalë në mbështetje të policit, as kanë kërkuar hetim, asgjë prej gjëje.

Një opozitë vërtet opozitare do të deklaronte se nuk mbështet privilegjin, se mbështet policinë për të arrestuar cilindo njeri, pavarësisht sa pasuri ka, se është kundër hierarkisë bazuar në pasuri, pasi Zoti na ka krijuar të barabartë.

Por jo, janë njëlloj si Edi Rama, feudalë pa tituj, janë mbështetës të sistemit të privilegjit dhe qenies mbi ligjin. Prandaj me Sali, me Lul e me kompani, kanë shkuar janë futur tek kazanët e lavatriçeve që shet Neptuni i Samirit dhe janë fshehur aty.

Edhe feudali Mehmet pashë Bushati në 1700-at, ua ka kaluar, pasi ai dënoi djalin e tij, Karamahmudin dhe djali u arratis nga Shkodra në Stamboll e paria e Shkodrës i shkonin duke i kërkuar ta falte djalin e vet. Kaq poshtë janë këta feudalë pa tituj.

*Titulli eshte i redaksise