Dy shoqe të ngushta që u takuan kur ishin adoleshente, tani kanë rënë në dashuri dhe janë martuar. Madje njëra prej tyre është kthyer nga femër në mashkull.
26-vjeçarja Kayla dhe 25-vjeçari, Aaron Capener, nga Kingsport në Tennessee, u afruan kur ishin në shkollë të mesme. Në atë kohë ato ishin 15 dhe 14 vjeçe, ndërsa Aaron identifikohej ende si femër.
Vajzat u bënë shoqe të mira menjëherë. Me kalimin e muajve, Aaron filloi të kuptonte se po krijonte ndjenja romantike për Kayla-n, por kishte frikë se si do të reagonte ajo. Për këtë arsye fillimisht vendosi që ta mbante të fshehtë.
Aaron, i cili u rrit në një familje konservatore dhe shkonte në kishë katër herë në javë, vendosi që të shpallej trasgjinor dhe filloi që të bënte ndryshimet që të kthehej në mashkull.
Gjatë kësaj kohe Kayla i qëndroi pranë në çdo moment. E pasi kaluan vite si miq të mirë, ai më në fund mori guximin për të bërë një lëvizje ndryshe ndaj shoqes dhe i dha puthjen e parë.
Për shkak të edukimit të tij fetar, Aaron i tha SWNS se kur ishte i vogël nuk ishte i vetëdijshëm për ekzistencën e komunitetit LGBTQ+, por thellë e dinte se ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë të moshës së tij.
Ai ka shtuar se kur po zhvillohej ndjenja për Kayla-n, atëherë e kuptoi me të vërtetë se nuk ishte e drejtë të rrinte ende vajzë. Fillimisht ai ka pranuar se është lesbike dhe familja e tij nuk e ka miratuar një gjë të tillë.
“Daily Mail” shkruan se familja i ka kërkuar që të fliste me pastorin e kishës së tyre në një përpjekje për “të kuruar” ndjenjat e tij.
Në moshën 16-vjeçare ka vendosur që të largohet nga shtëpia dhe të shkonte në një banesë tjetër. Teksa punonte për të mbajtur veten, ai doli si transgjinor dhe filloi që të bënte kalimin nga vajzë në djalë.
Në vitin 2016 ai u kthye në Kingsport, aty ku Kayla jetonte ende. E teksa një mbrëmje po qëndronin bashkë, ai i dha edhe puthjen e parë. Aty edhe ajo i shprehu ndjenjat.
“Aaroni ishte gjithmonë i njëjti person, pavarësisht emrit apo ndryshimeve. Kalimi i ti nga femër në mashkull nuk ndikoi aspak në marrëdhënien tonë. Ne gjithmonë kishim një lidhje që ndihej më e thellë se thjesht miq, dhe megjithëse nuk e kuptoja kur ishim më të rinj, gjithçka filloi të kishte kuptim kur u ribashkuam pas tranzicionit të Aaron”, ka thënë Kayla.
Vitin e kaluar, ata kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në martesë dhe Aaron shprehet se është “tepër i bekuar” që ka Kayla-b si gruan e tij.