Nënkomisari i Policisë së Durrësit, Arben Pjeçi i dha fund jetës me armën e shërbimit, ndërsa ishin kolegët ata që e gjetën pa shenja jete pasi shqyen me forcë derën e zyrës së tij.
Siç njofton Policia e Durrësit, prej disa ditësh, Pjeçi ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike, pasi ishte pezulluar nga puna, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës për “plagosje të lehtë”.
“Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës”, njoftoi policia e Durrësit.
Në vitin 2022 Pjeçi është zënë me grushta e shkelma me komshiun i cili gjithashtu është dënuar nga gjykata për plagosje të lehtë. Dënimi me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, solli pezullimin e tij nga detyra dhe më pas vetëvrasjen e oficerit në kushtet e depresionit.