Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.
Ramë Mahmeti, Ideal Rama të dy 15 vjeç dhe Veton Morina 13-vjeç, u gjetën pa shenja jete nën rrënojat e banesës.
Sipas asaj që mediat vendase kanë bërë me dije deri më tani, mendohet se fëmijët kanë qenë duke luajtur në atë banesë kur ajo është shembur, teksa dyshohet se ata kanë qëndruar disa orë nën gërmadha derisa ngjarja u kuptua nga banorët e zonës të cilët lajmëruan Policinë.
Familjarët e tre të miturve kanë bërë të ditur se engjëjt e tyre do të varrosën ditën e nesërme në varrezat e fshatit në orën 14:00.
Në njoftimin mortor familjet e Ramës, Idealit dhe Vetonit shkruajnë se humbja e tyre ka lënë një boshllëk e dhimbje të madhe.
Lidhur me këtë tragjedi më herët reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Përmes një reagimi zyrtar, ajo u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tre të miturve.“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe”, shkruante Osmani në reagimin e saj në “Facebook”.
Një nga banorët e zonës më herët rrëfeu edhe momentet rrëqethëse teksa kërkonin të miturit nën rrënoja.
Ai tha se së bashku me prindërit e fëmijëve filluan t’i kontrollojnë, teksa zilja e telefonit të njërit prej tyre vërtetoi se ata ndodheshin poshtë rrënojave.
“U takova me prindërit e fëmijëve. T’u fol me ta e pamë një objekt që është shemb. Duke i thirr në telefon, i kemi dëgjuar telefonat duke ju dridh ndër plloçë”, tha ai.